18:23 / E Mërkurë, 12 Gusht 2020 / indeksADMonline

Haradinaj: Besimin e AAK-së që të jem kandidat për president e konsideroj si përgjegjësi të lartë dhe nder të veçantë

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka thënë se në takimin e sotëm me strukturat e partisë kanë diskutuar për menaxhimin e pandemisë, dialogun me Serbinë dhe për rikonfigurimin eventual të qeverisë.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Haradinaj ka thënë se i përkrahin masat për luftimin e pandemisë të propozuara nga ekspertë shëndetësor.

“Aleanca qëndron fuqishëm në përkrahjen e menaxhimit efektiv të pandemisë, duke përkrahur bizneset dhe lirinë e lëvizjes së qytetarëve, me masa të propozuara nga ekspertët shëndetësor”, ka shkruar Haradinaj.

Sa i përket dialogut Kosovë-Serbi, Haradinaj ka thënë se janë për një marrëveshje që sjell njohjen në kufijtë ekzistues.

“Gjithashtu në dialogun me Serbinë, ne jemi për marrëveshje që sjell njohjen në kufijtë ekzistues, duke ruajtur karakterin unitar të Kosovës së 17 shkurtit.

Ne jemi kundër dialogut teknik, i cili për më shumë se një dekadë i ka shkuar në favor vetëm Serbisë, duke e lënë Kosovën të izoluar”, është shprehur Haradinaj.

Po ashtu, Haradinaj ka bërë të ditur se Këshilli Drejtues i AAK-së e ka autorizuar të flas në emër të AAK-së për rikonfigurimin eventual të qeverisë, ndërsa besimin që ai të jetë kandidat për president, e konsideron përgjegjësi të veçantë.

“Falënderoj Këshillin Drejtues, për besimin e tyre, për autorizimin që me dhanë, që në emër të Aleancës të zhvilloj bisedimet eventuale për rikonfigurimin e qeverisë, përfshirë këtu edhe çështjen e presidentit. Besimin që unë të jem kandidat për president, nëse kjo diskutohet në bazë të kushtetutës, e konsideroj si përgjegjësi të lartë dhe nder të veçantë”, ka përfunduar Haradinaj.