75 Mall Live Search
12:34 / E Shtunë, 05 Maj 2018 / indeksADMonline

Haradinaj: Brezi i UÇK-së, kulmoi një rrugë të gjatë deri në liri

(I plotësuar) 13:04 –  Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka marrë  pjesë në zbulimin e pllakës përkujtimore të Heroit të Kombit, Jetë Hasani dhe dëshmorit, Ruzhdi Salihu, emrin e të cilit e mban edhe Shtëpia-Muze që ishte shtab i UÇK-së, si dhe 26 dëshmorët e batalionit II “Rushdi Salihu”, në fshatin Pjetërshticë, Komuna e Shtimes.

Në fjalën e tij, Haradinaj tha se Jetë Hasani është një atdhetar i cili bashkon në vete ato vlera që e definojnë jo vetëm një etapë të jetës tonë për liri. “Një pjesë e brezave të bashkatdhetarëve tanë nuk arritën ta kapin pushkën, por ata ishin pushkë vetë me bindjet e tyre, me veprat e tyre, me angazhimin dhe me idetë e tyre. Edhe pse nuk shkuan në luftë kaluan nëpër persekutime, kaluan nëpër izolime, nëpër nëpërkëmbje që iu bënë vetëm e vetëm për shkak me i pamundësu, me i zbehë, më i dëmtu, në idetë e tyre atdhetare”, tha kryeministri Haradinaj.

Më tej, kryeministri Haradinaj tha se brezat tjerë të ndodhur në përgjegjësi të caktuara qoftë edhe në sistem të dikurshëm, edhe ata nuk arritën të ecin hapave të vetë sepse çdo herë kundërshtarët e të drejtës së shqiptarëve i identifikuan, i shtypën dhe i ndalën.

“Brezi ynë i UCK ishte brezi më me fat ishte brezi që e kulmoi një rrugë të gjatë deri në liri. Ishte ky brez që arriti ato mendime, sakrifica, vuajtje, atë çmim të të gjithë kohës për ta kulmuar përmes pushkës së lirisë. Vepra e Jetë Hasanit i bashkon këto etapa. Jetë Hasanin e gjejmë në kohërat e hershme të ideve kombëtare, e gjejmë në përpjekjet e tij për ta mbijetuar shqiptarin edhe përmes shkollës shqipe dhe e gjejmë gjithnjë me idetë e tij të lirisë dhe të bashkimit kombëtar”, tha kryeministri Haradinaj.

Nderimi qe i bëjmë ne të gjithë një atdhetari në Ditën e Dëshmorëve të Kombit, siç tha kryeministri Haradinaj flet se nuk është rastësi qe e kemi lirinë që e meritojmë dhe që do ta kemi e do ta ruajmë. “Unë jam i nderuar sot që sado pak i bashkohem këtij nderimi që i bëni ju”, tha kryeministri Haradinaj, duke falënderuar gjithë ta që bënë punë që sot jeta dhe vepra e Jetë Hasanit, por edhe periudha e rrugëtimit për liri të brezave tanë të kësaj treve të kthehet në monument me pllakën dhe shtabin që do të jetë shtab memorial.

Të pranishëm në këtë ceremoni ishin edhe kryetari i Komunës së Shtimes, Naim Ismajli, përfaqësues institucionalë, deputetë, bashkëluftëtarë dhe qytetarë të shumtë.


Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka marr pjesë në ceremoninë e rivarrimit të dëshmorëve të Podujevës.

Ai para familjarëve e shumë të tjerëve që morën pjesë në këtë ceremoni tha se Kosova duhet të jetë krenare me djemtë e burrat llapjan që dhanë jetën për lirinë e vendit.

Haradinaj ka thënë se çdo komb që gëzon lirinë, brezat që kanë rrugëtuar me heronjtë e vendit e dinë rëndësinë e varrit e të memorialit.
AI ka shtuar se institucionet duhet të kujdesën, ti ruajnë dhe ndërtojnë dëshmorët, në mënyrë që brezat e ardhshëm të kuptojnë rrugën e lirisë, shkruan Indeksonline.

“Dëshmori Hakif Zejnullahu e mori nderimin e merituar nga populli i Kosovës, po pushon në tokë bashkë me bashkëluftëtarët e vet. Sot e nderuam Ali Ajetin, e shumë të tjerë, breza e breza luftëtarë llapjan, burra e djem meritor për lirinë e vendit. Lumë Kosova, lumë shqiptarët, lumë ne që kemi pas djem si Zahiri, Edomndi, Hakifi, Alia e shumë të tjerë. Çdo komb që gëzon lirinë, brezat që kanë rrugëtuar me heronjtë e dinë rëndësinë e varrit e memorialit. Ne duhet të kujdesemi që tani, varrezat e dëshmorëve tonë, nderimi për ta ta kultivojmë për brezat që vinë. Edhe institucionet sado që kanë sfida, nuk guxojnë të dështojnë kur bëhet fjalë për kujdesin dhe nderimin ndaj dëshmorëve që dhanë jetën për lirinë” ka thënë Haradinaj, shkruan Indeksonline.