09:59 / E Hënë, 08 Tetor 2018 / indeksADMonline

Haradinaj: Është zvogëluar me mbi 95 përqind numri i azilkërkuesve nga Kosova

Bashkimi Evropian dëshiron të sigurohet se me rastin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, nuk do të përballet me migrimin e qytetarëve nga Kosova drejt shteteve të zonës Schengen.

Sipas kryeministrit Ramush Haradinaj, institucionet vendore kanë bërë punë të mirë për çështjen e migrimit, sepse numri i azilkërkuesve nga Kosova ka shënuar rënie të madhe.

Në takimin e Nivelit të Lartë të Sundimit të Ligjit, Haradinaj përmendi edhe shifra duke thënë se përderisa në vitin 2015, numri i azilkërkuesve nga Kosova ishte 67 mijë, në vitin 2018 ky numër është vetëm 2 mijë e 800.

“Ne kemi bërë punë të mirë në stopimin e fluksit potencial, dhe shifrat e azilkërkuesve kanë ra drastikisht. Nga viti 2015 deri më sot, kemi rënie të azilkërkuesve me mbi 95 përqind, prej 67 mijë në 2015, rënie pra në 2 mijë e 800 në vitin 2018, por ne duhet të punojmë më shumë, pra qytetarët tanë duhet ta dinë se e ardhmja e tyre është në Kosovë, me Kosovën në Bashkimin Evropian. Kosova nuk do të eksportojë kriminalitet dhe pasiguri në BE, por qytetarë të ndershëm, turistë, studentë, sipërmarrës, dhe njerëz që do të udhëtojnë në BE për nevoja pune”, tha Haradinaj.

Në opinionin publik vazhdimisht ka pasur zëra që flasin për largimin e qytetarëve nga vendi, në rast të arritjes së liberalizimit të vizave. Kryesisht kushtet e rënda ekonomike, kanë bërë që shumë sondazhe të tregojnë për shifra të larta të qytetarëve që do të braktisnin shtetin.

Në fillim të këtij viti, në mes të gazit lotsjellës, Kuvendi i Kosovës ratifikoi marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi, duke lënë si kusht të mbetur luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar në Kosovë, në mënyrë që shteti i vetëm i izoluar në regjion, të gëzojë të drejtën e lëvizjes së lirë./Indeksonline/