13:22 / E Martë, 19 Dhjetor 2017 / indeksADMonline

Haradinaj dhe Mogherini biseduan për liberalizimin e vizave, ja çka u tha mes tyre   

Në Bruksel të hënën mbrëma është organizuar takimi joformal, në formën e një darke pune, e kryeministrave të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor me Përfaqësuesen e lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini. Në atë takim, sipas asaj që thanë pjesëmarrësit pas përfundimit të tij, është përsëritur përkushtimi i BE-së për zgjerimin me vendet e Ballkanit dhe i vendeve të këtij rajonit për të vazhduar reformat.

Për dallim prej vendeve fqinje të Kosovës, që kishin për qëllim hyrjen në BE, vendi ynë ka pasur për teme diskutimi çështjen e liberalizimit të vizave.

Sipas zëdhënësit të Qeverisë Halil Matoshi çështja e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, krahas agjendës evropiane ishte temë e diskutuar me partnerët evropianë.

Ai për Indeksonline ka treguar se takimi është ftuar nga Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Federica Mogherini dhe kryeministrat e vendeve të rajonit të Ballkanit kanë diskutuar për zhvillimet në rajon dhe perspektivën për vitin 2018.

“Bashkëpunimi në rrugën evropiane ishte tema e diskutimit. Çështja e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, krahas agjendës evropiane ishte temë e diskutuar me partnerët evropianë. Qeveria Haradinaj është e përkushtuar për të përmbushur obligimet që dalin nga MSA dhe Agjenda Evropiane, me qëllim të përshpejtimit të rrugës evropiane të Kosovës dhe rrjedhimisht të marrjes sa më të shpejtë të liberalizimit të vizave”, ka thënë Matoshi. /Indeksonline/