Haradinaj: Duhet t’i ndajmë dy milionë euro për Ferronikelin
Kryeministri Ramush Haradinaj ditën e 1 Majit ka vendosur që të del në komunat e Drenicës, Drenas dhe Skënderaj.
Ndalesa e parë e Haradinajt ishte paraparë që të jetë Parku i Biznesit që gjendet në magjistralen Prishtinë-Pejë por aty nuk e gjeti askënd pasi që nuk ishte ditë pune. Në komunë Haradinaj shkoi dhe u takua me kryetarin Ramiz Lladrovci si dhe takoi disa përfaqësues të punëtorëve të Ferronikelit. Pas këtyre takimeve që zgjatën gati një orë kryeministri tha se ishte një mundësi e mirë që sot kanë biseduar për projektet zhvillimore në Drenas, përfshirë edhe gjendjen buxhetore dhe mundësinë e financimit të këtyre projekteve. Po ashtu ai tha se për simbolikë të ditës së 1 majt, takuan edhe sindikatat, në veçanti atë të Ferronikelit, kryetarin e saj Fehmi Nika, ku janë informuar për gjendjen në këtë fabrikë.
Sipas Haradinajt, Qeveria e Kosovës i ka borxh Ferronikelit, një shumë të caktuar të parave diku 2 milionë euro, në formë fë rimbursimit të TVSH-së, me të cilën shumë ndërlidhen edhe dy paga të punëtorëve për muajt mars dhe prill. Kryetari i Drenasit Ramiz Lladrovci pohoi se kanë biseduar për çështje me rëndësi për Drenasin, në veçanti për pronat dhe Ferronikelin , i cili kërkoi të bëhet rimbursimi i TVSH-së për këtë fabrikë.
Kryeministri Haradinaj i ka ndarë dekoratën “ Viti i Skënderbeut” kryetarit Ramiz Lladrovci ngase sipas tij është familjar i dëshmorëve.