16:58 / E Hënë, 06 Gusht 2018 / indeksADMonline

Haradinaj emëron në pozitë të re Albena Reshitajn

Kryeministri Ramush Haradinaj, ka emëruar sot ish ministren e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj, e cila dha dorëheqje javën që shkoi, si këshilltare të tij politike.

“Pas lirimit nga detyra e ministres së Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor, znj. Albena Reshitaj, kam konsideruar se njohuritë dhe përvoja e saj institucionale janë me rëndësi që të vazhdojnë të jenë në shërbim të qytetarëve të Republikës së Kosovës. Si Kryeministër i Qeverisë, jam i bindur se kontributi i ish ministres, është më së i nevojshëm, andaj i kam ofruar asaj postin e Këshilltares Politike, ofertë kjo të cilën ministrja e ka pranuar”, ka shkruar kryeministri në Facebook.

“Jam i bindur se vazhdimi i bashkëpunimit institucional me zonjën Reshitaj është në interes të qytetarëve dhe në funksion të implementimit të programit qeverisës”, thotë ai tutje.