21:11 / E Martë, 11 Dhjetor 2018

Haradinaj flet për telashet brenda koalicionit qeverisës dhe raportet me Thaçin

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj në një intervistë për Indeksonline ka theksuar se ka pasur ftohje të raporteve me President Hashim Thaçi për një kohë, mirëpo jo me Kadri Veselin, Behgjet Pacollin e Fatmir Limajn. Sipas tij, brenda koalicionit qeverisës ka qëndrueshmëri dhe korrektësi.

“E kemi pasur një ftohje me presidentin Thaçi për një kohë, e jo me zotëri Veseli, Limajn apo Pacolli në partneritetin qeverisës. Kemi një ftohje edhe me Listën Serbe, ata u nervozuan nga koha e arrestimit të Marko Gjuriqit, pastaj ushtria ,taksat. E kanë një mos pajtueshmëri, pastaj ndodhen edhe arrestimet për vrasjen e Ivanoviqit. Të gjitha këto sollën një acarim me Listën Serbe, por sido që të jetë besoj se koalicioni si koalicion hiq Listën Serbe e cila është distancuar, nuk është pjesë e qeverisjes, prapë ka qëndrueshmëri dhe korrektësi brenda nesh”, ka deklaruar Haradinaj, duke theksuar se në një të ardhme do të diskutojnë më tutje për marrëdhëniet me Listën Serbe se si të veprojnë.

Ndërsa, për ekipin negociator, Haradinaj ka thënë se Qeveria po përgatitë një marrëveshje gjithëpërfshirëse për negocimin me Serbinë.

Ai thotë se nuk është larg për të gjetur një zgjidhje sa i përket kësaj çështje.

“Qeveria e bën materien, i nxjerr ato të dhënat, materialet, informatat, e përgatit librin e madh me të gjithë kapitujt. Por negocimin e këtij libri me palën e bën delegacioni, presidenti, ata që janë të ngarkuar, parlamenti. Në fakt, qeveria është duke e kryer punën e vet intenzivisht me e përgatit marrëveshjen gjithëpërfshirëse, për çdo temë të ndërsjellë. Shembull vetëm në ekonomi mund të jenë mija faqe dhe ne po e përgatisim atë. Kontratën Kosovë- Serbi për njohje dhe për pranimit ë marrëdhënieve në këtë fushë apo atë fushë. Unë e kam mirëprit një zhvillim të ri të PSD, që ti ofroj Kosovës një dalje nga bllokada, ku s’kemi mundur me ra dakord në parlament për të votuar një delegacion. E kam mirëprit edhe rezolutën e tyre, nuk kam vërejtje në ligj të tyre apo materie. Mirëpo besoj se nuk jemi larg për të gjetur një zgjidhje”, ka shtuar mes të tjerash Haradinaj.

Kryeministri Haradinaj ka thënë se PDK ka qenë e hapur që të gjendet një zgjidhje për negociatat me Serbinë dhe se nuk ka pasur hezitim dhe nuk do të këtë për ekipin udhëheqës Limaj-Ahmeti.

“PDK ka qenë shumë e hapur në vazhdimësi që të gjendet një formulë, që Kosova ta ketë një delegacion të vetin, që nga koha e propozimit të Limajt e deri më sot pra nuk ka pasur hezitim nga PDK, e nuk ka as tani hezitim Limaj-Ahmeti, pra besoj se do të arrijmë një marrëveshje”, ka deklaruar Haradinaj./Indeksonline/

Mos i humb

Të fundit