20:53 / E Martë, 12 Qershor 2018 / indeksADMonline

Haradinaj: Greqia e Maqedonia treguan vizion dhe vendosmëri për emrin e ri

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka mirëpritur çështjen e zgjedhjes së emrit të ri të Maqedonisë.

Në një postim në Facebook, Haradinaj ka shkruar se çdo lajm i mirë nga rajoni, i përafron të gjithë me strukturat dhe vlerat Euro-Atlantike të cilat bashkërisht i synojnë.

Më poshtë postimi i plotë i Haradinajt:

I gëzohem lajmit të shumëpritur për arritjen e marrëveshjes historike për çështjen e emrit ndërmjet Maqedonisë dhe Greqisë. Lidershipi i të dyja vendeve u tregua i vendosur dhe vizionar për të kontribuar në përmbylljen e një çështjeje të hapur të Ballkanit Perëndimor.

Çdo lajm i mirë nga rajoni ynë, na përafron të gjithëve me strukturat dhe vlerat Euro-Atlantike të cilat bashkërisht i synojmë.

Uroj që në këtë frymë konstruktive të përmbyllen të gjitha temat tjera historike të mbetura hapur nga e kaluara në Ballkan. /Indeksonline/