12:23 / E Premte, 13 Dhjetor 2019 / indeksADMonline

Haradinaj i jep medalje komandantit të FSK-së për intervenimin, në Shqipëri

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj në njëvjetorin e miratimit të ligjeve për FSK-në ka vizituar Ministrinë e Mbrojtjes dhe ka pranuar nga ministri Rrustem Berisha raportin njëvjeçar të punës.

Ai vizitoi edhe klubin e oficerëve të cilëve u tha se të gjithë ata do të jenë krenarë me vendimin që kanë marrë për të qenë ushtarë dhe që t’i shërbejnë vendit.

“Kosova funksionon edhe në partneritet, çështja e mbrojtjes është çështje që e ndan së bashku me misionin e NATO-s në Kosovë (KFOR-in). Besoj që sot pas një viti mund t’u premtojmë qytetarëve të Kosovës, partnerëve, që po shkojmë në hapa të sigurt, në drejtim të duhur dhe po i arrijmë objektivat e deklaruara një vit më herët. Ne jemi në dinamikën e duhur dhe sigurt po ecim”, tha Haradinaj.

Haradinaj i dha medaljen “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu” komandantit të FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, përmes së cilës tha se i nderon të gjithë ushtarët.

Ndërsa Rama tha se medaljen ia dedikon gjithë FSK-së.