Haradinaj kërkon nga ministrat më shumë angazhim
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka marrë sot pjesë në takimin e rregullt të Këshillit Ministror për Integrim Evropian, me fokus në zbatimin e Agjendës së Reformave Evropiane (ERA).
Me këtë rast, kryeministri Haradinaj ka konfirmuar edhe njëherë rëndësinë që ka për Qeverinë kjo temë, duke kërkuar nga ministrat që të jenë më korrekt në përmbushjen e obligimeve të tyre, transmeton AktivPress.
“Kërkesa ime për ju, ministra, është që të vendosni një metodologji pune në ministri. Ju siguroj që dhjetë minuta çdo ditë në fillim të ditës, do të mjaftojnë, nëse i thirrni njerëzit përgjegjës dhe kërkoni nga ata detyrat e parapara, dhe ju raportojnë çdo ditë se çfarë kanë bërë dhe në fund të javës jeni të pajisur me çfarë ju duhet”, tha kryeministri.
Kryeministri Haradinaj ka theksuar se përmbushja e detyrave për këtë vit, do të jetë përcaktues për vendosjen e detyrave për vitet e ardhshme.
“Siç e dini, kemi vonesa të mëdha në zbatimin e MSA-së. Një kohë të gjatë nuk ka ndodhur asgjë ose shumë pak. Është bërë një punë në favor të Kosovës, duke u identifikuar detyra konkrete për këtë vit. Po afrohet fundi i vitit dhe ne duhet të dimë a jemi të zotët të kryejmë të gjitha detyrat që janë paraparë, dhe kur të vendosim detyrat për vitin tjetër, të bazohemi në objektivat e arritura sivjet”, tha ai.
Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka kërkuar seriozitet në zbatimin e prioriteteve.
“Duhet të tregojmë përkushtim dhe seriozitet në zbatimin e prioriteteve, konkretisht duke promovuar qeverisjen e mirë, fuqizimin e sundimit të ligjit, duke mbrojtur konkurrueshmërinë, përmirësimin e klimës së investimeve dhe avancimin e politikave të punësimit dhe arsimit të lartë, pra të gjitha prioritetet që dalin nga procesi i ERA-s “ tha ministrja Hoxha./AktivPress