10:32 / E Enjte, 16 Maj 2019

Haradinaj: Kosova e Britania duan fuqizimin e partneritetit ekonomik

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka takuar sot Komisionerin për Tregti për Evropë në Britaninë e Madhe, Andrew Mitchell.

Haradinaj tha se ka ardhur koha që marrëdhëniet e shkëlqyera me Britaninë e Madhe t’i shndërrojmë në një dimension të ri të bashkëpunimit me interes të dyanshëm.

“Me Komisionerin shprehëm vullnetin e përbashkët për fuqizimin e partneritetit ekonomik ndërmjet dy vendeve, si dhe diskutuam për mundësitë e rritjes e investimeve nga kompanitë britanike në Kosovë”, tha Haradinaj.

Ai u shpreh se të arriturat e vendit në avancimin e infrastrukturës ligjore, veçmas me Ligjin e Investimeve Strategjike, kanë hapur kapitull të ri për zhvillimin e ekonomisë së Kosovës dhe janë garantues për investitorët e huaj.