20:42 / E Mërkurë, 19 Korrik 2023 / S Z

Haradinaj: Kurti e ka kohën e fundit t’i dëgjojë aleatët

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se kryeministri Albin Kurti e ka kohën e fundit të  largohet nga temat tensionuese dhe destruktive. Sipas Haradinaj, këso elementesh zhvillojnë liderët pro rus duke përmendur kryetari i Republikës Sërpska në Bosnje dhe Hercegovinë, Milorad Dodik, dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Ai, me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, th ase Kurti e ka kohën fundit edhe për t’i marrë parasysh kërkesat e aleatëve.

“Është koha e fundit që Kurti t’i lexojë drejtë porositë e miqve të palëkundur të Republikës së Kosovës, të Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Marrëdhëniet me Jashtë, të ofruara me dashamirësinë dhe mirëkuptimin e aleatëve dhe partnerëve në dëshminë e fundit të Escobar”.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe politikëbërësit e saj, edhe kësaj radhe po inkurajojnë Kosovën t’u qëndrojë zotimeve, të hapë rrugë për afirmim ndërkombëtar, për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, për fushatë globale të njohjes, për avancim në integrim evropian dhe për zhvillim social e ekonomik, për vendosmëri në proces të rrugëtimit drejt NATO-s dhe BE-së. Këtu qëndrojnë, këtu i gjejmë dhe këtu na presin miqtë tanë strategjikë”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj ka theksuar se: “Kurti mund të ketë ritmin dhe orën e tij, por Kosova nuk ka kohë për të humbur, veçmas kur porositë dhe pritjet e aleatit tonë janë të qarta dhe të drejtpërdrejta”.