10:53 / E Martë, 14 Maj 2019 / indeksADMonline

Haradinaj: Me largimin e Mogherinit nuk rrezikohemi nga propozimet për ndarje

Kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se Mogherini e ka kryer punën e vet dhe që nga Samiti në Bruksel ajo është larguar nga ndërmjetësimi i dialogut Kosovë-Serbi, përcjellë Indeksonline.

Sipas Haradinaj, në samitin që është mbajtur javë më parë në Tiranë, Mogherini me përsëritjen  e kërkesës për heqjen e taksës në mënyrë që të vazhdojë dialogu ka ftuar që ta ndajë Kosovën.

Me largimin e Mogherinit, sipas kreut të ekzekutivit, nuk rrezikohet ndonjë propozim tjetër për ndarje.

“Me rëndësi është që procesi është tani në duar të sigurta, i është hequr zonjës Mogherini, nuk rrezikohet nga një propozim për ndarje, pra ka një stabilitet, kjo është kryesorja. Mogherini tha në Tiranë hiqni taksën ua ndaj Kosovën menjëherë, i ra ashtu, si ta heqin taksën e thirri takimin, a po kthehet kështu, vetëm hiqni taksën se menjëherë ua ndaj Kosovën. Shyqyr Zotit kemi qëlluar në vend që i kemi lexuar këto projekte me kohë, nuk hiqet taksa, Mogherini e ka kryer mandatin e saj, janë zgjedhjet, ajo rri deri në fund të tetorit por ajo është ushtrues detyre se kandidati tjetër veç përgatit agjendën e vet”, tha Haradinaj.

Në konferencën e mbajtur pas mbledhjes së qeverisë, Ramush Haradinaj ka komentuar edhe zërat se ka rrezik që në çështjet e Kosovës të përfshihet edhe Rusia.

“Rusia është tërheq prej Ballkanit kohë të gjatë, ne nuk e parashohim në asnjë agjendë tonën Rusinë, nuk i takojmë botës së Rusisë, i takojmë botës së Amerikës. Amerika nuk është tërheqë asnjëherë. Janë disa prononcime këtu për qëllime ditore qysh samiti i Berlinit ose takimi i Parisit është përjashtim i Amerikës. Nuk është Amerika dikush që përjashtohet prej proceseve besoj po e dini pse po ju them, nuk përjashtohet Amerika, nuk mundet dikush të përjashtojë Amerikën prej proceseve në Kosovë e Ballkan, nuk ka ndodh përjashtimi”, tha ai”

Sa i përket deklaratave të Dick Martyt se ka prova të reja për të shpalosur, kreu i qeverisë ka thënë se deklarimet e tilla nuk i ndihmojnë drejtësisë.

“Ka një gjykatë, i pastron gjykata, këto deklarimet publike, politike nuk i ndihmojnë drejtësisë”. /Indeksonline/