16:29 / E Mërkurë, 26 Shtator 2018

Haradinaj mori pjesë në Forumin “Bloomberg Global Business”

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, mori pjesë në sesionin e dytë të forumit “Bloomberg Global Business”, në kuadër të vizitës së tij në punimet e sesionit të 73’të të Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe forcimit të marrëdhënieve bilaterale të Kosovës me ShBA-në.

Kryeministri Haradinaj, që ishte pjesë e këtij forumi, tha se Kosova është e hapur që të shpreh vizionin dhe idetë e saj në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe për të gjetur mënyra të reja për të punuar së bashku drejt qëllimeve të përbashkëta.

Në forumin “Bloomberg Global Business”, i cili është vendi i vetëm i dedikuar për të mbledhur liderët më të rëndësishëm botërorë nga sektorët publikë dhe privatë, u diskutua për prosperitetin e përbashkët dhe për të ndërtuar partneritete vendimtare ndërmjet biznesit dhe qeverisë, për të siguruar sukses të vazhdueshëm.