75 Mall Live Search
19:33 / E Premte, 02 Nëntor 2018 / indeksADMonline

Haradinaj: Mua më dhemb kjo gjendje ne Prizren, ne kemi punuar që ta sjellim Gjermaninë në Kosovë

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj është deklaruar sërish për të rinjtë në Prizren që dëshirojnë të marrin rrugën drejt Gjermanisë për tu punësuar.

Gjithë kjo pas një lajmërimi të një kompanie gjermane, e cila ditë më pare ka njoftuar për mundësi punësimi në aeroportin e Hamburgut. Ndërsa kompania nga Prizreni ka hapur konkurs për t’ua mundësuar kosovarëve të punësohen në këtë aeroport.

Sot, Haradinaj ka deklaruar se gjendja e fundit me të rinjtë në Prizren po e brengos shumë.

“Mua më dhemb kjo gjendje në Prizren dhe e ndiej, gjatë tërë vitit kemi punu që me e pru Gjermaninë në Kosovë dhe jo ne me shku. Shpresoj që qytetarët do mund të gjejnë vende të punës në Kosovë dhe jo jashtë saj”, tha Haradinaj.

Ndërkohë, dje Haradinaj kishte thënë se kjo kompani po hetohet nga organet kompetente.

Ndërkaq deklaratën e Haradinajt, e kishte demantuar Policia e Prizrenit, e cila ka thënë për se nuk kanë hapur rast hetimi për kompaninë në fjalë, transmeton Indeksonline.

Kurse, zyrtarët nga Prokuroria Themelore në Prizren, nuk kanë treguar detaje nëse një hetim i ngjashëm është duke u bërë.

E për atë që ndodhi kryetari i komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka ka treguar se është i habitur.

“Unë nuk kam kurrfarë informacioni as për këtë ngjarje as pre e ndonjë mashtrimi për kompaninë. Shpresoj që nuk është ndonjë aspekt korruptiv aty dhe qytetarët nuk bien. Nuk kemi pas as informata, nuk kemi ditë as për çka është fjala. Pos asaj që e kemi pa nga mediat, nuk e kanë kontaktuar komunën as nuk kanë kërkuar ndonjë bashkëpunim nga komuna”, ka thënë Haskuka.

Kjo kompani, kishte ardhur dje edhe në “Sallën e Kuqe” në Prishtinë, mirëpo në kryeqytet duket se nuk kishte shumë të interesuar sa në Prizren.

Në kryeqytet, ishin rreth 400 persona të cilët kishin ardhur për të aplikuar për punë në këtë agjencion i cili po pretendon se po shërben si ndërmjetësues për t’i punësuar qytetarët në Gjermani.

Kompania “BSB Aviation” është regjistruar në formën Shoqëri me Përgjegjësi të Kufizuar (SHPK), me kapital prej vetëm 1,000 euro, ndërsa pronar figuron të jetë një person i quajtur Bujar Berisha./Indeksonline/