20:35 / E Enjte, 09 Nëntor 2017 / indeksADMonline

“Haradinaj në Bruksel, ky mund të jetë rezultati”

Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj javën e ardhshme do të udhëtojë për në Bruksel për t’i sjellë Kosovës rezultate konkrete për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit (MSA).

Por, gjatë kësaj vizite, i pari i ekzekutivit  pritet që temë diskutimi të ketë edhe çështjen e liberalizimit të vizave. E që, sipas tij, kjo do të përfundojë  shumë shpejt. Lidhur me këtë, ka shprehur qëndrimin e tij edhe politologu i njohur kosovar, Belul Beqaj.

Në një prononcim për ‘Indeksonline’, ai ka treguar se cili do të duhej të ishte rezultati më i mirë i kryeministrit, Ramush Haradinaj në Bruksel. Sipas tij, janë dy elemente që Haradinaj mund t’i bëjë në Bruksel.

“Rezultati i vetëm i mirë është nëse  Ramush Haradinaj pranon që  çështja  e Demarkacionit të përfundon si po mendon ai dhe si rezultat i përfundimit të tillë mundet me qenë.  Ose dështimi i plotë i tij që nënkupton fillimin e zgjidhjes së mirëfilltë të problemit të Demarkacionit, ose të zvarritet kjo punë në pa kufi ndonëse premtimet e tij kanë qenë se shumë shpejtë do ta përfundojë këtë çështje të hapur e cila është kërkesë ultimative e Bashkimit Evropian e pa drejtë. Për që është e padrejtë ata e kanë bërë si kriter dhe kjo është esenca”, është shprehur Beqaj.

Tutje, ai ka folur edhe rreth asaj se a mund ta ndryshoi ligjin e ‘vjetër’ të Demarkacionit Haradinaj. Beqaj thotë se i njëjti mundet të ndërrohet. Por, qasja aktuale e kësaj çështje nuk ka mundësi të ndryshohet.

“Nuk mundet të ndryshohet më qasja ndërkombëtare e Demarkacionit, kjo pak a shumë është çështje që sipas mendimit tim ka marrë fund. S’po them që është e drejt,  por fakti që nuk ka ofruar  alternativë  e cila i bind edhe strukturat e përgjithshme  në Kosovë por edhe jashtë saj pra ekziston një e vërtet tjetër që tregon se megjithatë kjo çështje mund të përmbyllet me një dështim të plotë. Edhe nëse ndërrohet ligji  por edhe nëse nuk ndërrohet ligji edhe nuk ofrohet një alternativë e argumentuar më mirë se sa ajo që  ka  qenë deri më tani”, ka thënë ai.

Më tej, politologu i njohur ka folur edhe për zbatimin e MSA-së, duke treguar se për çka shërben kjo marrëveshje për vendin tonë.

“Këtë fazë nuk besoj se MSA-ja  është më tepër në favor të Kosovës. Por besoj që  MSA-ja  duhet me qenë një nga arsyet  e hapjes së mundësive për tu integruar në formën e standardeve evropiane në Bashkimin Evropian”, ka përfunduar Beqaj./Indeksonline/(Ardian Beka)