21:44 / E Mërkurë, 31 Janar 2018 / indeksADMonline

Haradinaj: Nuk kam frikë nga Gjykata Speciale, iniciativa e deputetëve s’ka për të ecur

Kryeministri i Kosovës, ka deklaruar se nuk beson se iniciativa e deputetëve për shfuqizimin e Gjykatës Speciale do të ketë sukses.

I intervistuar nga Tim Sebastian, njëri prej gazetarëve më të njohur në botë për intervista të rrepta, Haradinaj ka thënë se Gjykata tashmë ekziston.

“Gjykata ekziston, është krijuar përmes amendamenteve ekzistuese dhe nuk ka ndryshim. Kosova i ka përmbushur obligimet e saja sa i përket ligjeve kombëtare dhe ndërkombëtare. Nuk ka dyshim që Kosova do t’i kryejë këto obligime ndërkombëtare”, ka thënë Haradinaj.

I pyetur drejtpërdrejt nga Sebastian nëse mendon se do të ketë sukses iniciativa, ai ka thënë: “Më duket se nuk do të ketë”.

Ndryshe, në këtë intervistë, në emisionin “Zona e Konfliktit”, Haradinaj ka thënë se ai vet personalisht nuk ka frikë nga Gjykata Speciale.

“Ekziston një shqetësim në lidhje me Gjykatën tek një numër njerëzish këtu. Ata e konsiderojnë atë të padrejtë, si institucion të drejtësisë, që merret vetëm me raste të caktuara, dhe jo gjithçka çfarë ka ndodhur këtu në të kaluarën. Unë personalisht nuk kam frikë”, është shprehur Haradinaj.

Kryeministri i Kosovës ka thënë se nëse kjo gjykatë ngre aktakuzë kundër tij, ai do t’i dorëzohet asaj.