10:11 / E Hënë, 26 Mars 2018 / indeksADMonline

Haradinaj: Pamjet e luftës së fundit na rikthehen sërish

Kryeministri Ramush Haradinaj ka përkujtuar disa nga masakrat e mëdha të ndodhura gjatë luftës së fundit në Kosovë.

“Në përvjetorin e masakrave të Krushës së Madhe, Krushës së Vogël, Kotlinës, Suharekës, Lybeniqit, Izbicës, Mejës, Pastaselit, Leshanit, flijimit të familjes Berisha në Suharekë, familjes Bogujevci në Podujevë dhe të gjitha krimet tjera, pamjet e luftës së fundit në Kosovë na rikthehen sërish”, ka shkruar Haradinaj në profilin e tij në Facebook.

Sipas tij, sot kujtojmë aktin çnjerëzor mbi një popullatë të tërë të pafajshme. Fëmijë, pleq, gra e burra, të pambrojtur, u bënë cak i terrorit të regjimit serb. Ndër breza do të kujtohen të gjithë martirët, nga gjaku i të cilëve u vendosen themelet e Kosovës së lirë.

“Kujtojmë sot betejën e Landovicës dhe tetë dëshmorët e rënë! Në ditën e sotme, më 2001 ra dëshmor Njazi Azemi, luftëtar i orëve të para të UÇK-së dhe UÇPMB-së dhe më këtë rast, e nderojmë Komandant Mjekrrën, qoftë i ndritur emri dhe vepra e tij. Lavdi e nder i përjetshëm të gjithë martirëve dhe dëshmorëve!”, ka thënë kryeministri./Indeksonline/