14:00 / E Diele, 30 Shtator 2018 / indeksADMonline

Haradinaj pas kthimit nga Amerika me lajme të mira, komenton edhe vizitën e Thaçit në veri

Pas një vizite disa ditore në SHBA, kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj posa ka arritur në Prishtinë ka mbajtur një konferencë për media në Aeroportin Ndërkombëtar ‘Adem Jashari’.

I pari i ekzekutivit ka folur për rreth kësaj vizite dhe temat që janë biseduar në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

“Kemi pasur dy tema, Interpolin dhe bilateralen me Amerikën, veçanërisht sigurinë dhe dialogun. Kemi zhvilluar takime me kryeministra, senatorë, e presidentë. Kam ritheksuar se do të vazhdojë bashkëpunimi me NATO-n dhe forcat e KFOR-it në Kosovë si dhe për transformimin e FSK-së në ushtri. Lajmi i mirë është se ne e kemi mbështetjen e Amerikës për formimin e ushtrisë”.

Haradinaj gjithashtu tha se ka biseduar edhe për dialogun në mes Kosovës dhe Serbisë, për të cilin thotë se ka njoftuar miqtë ndërkombëtarë se zgjidhja e këtij dialogu është i nevojshme, por pa prekur kufijtë e vendit, përcjellë Indeksonline.

“Sa i përket dialogut, kam ritheksuar se është e nevojshme një zgjidhje, por jo përmes lëvizjes së kufijve. Edhe atyre u kam thënë se s’mund ta cenojmë vetveten nga ajo që kemi shpallë si shtet i pavarur dhe kam pasur mirëkuptim në lidhje me këtë. S’është as sygjerim amerikan shkëmbimi i territoreve apo lëvizja e kufijve. Mendoj se janë me rëndësi porositë që ne dërgojmë nga Kosova, siç janë; forcimi i rendit të sigurisë dhe luftimi i korrupsionit’, është shprehur kryeministri i Kosovës.

Haradinaj ka komentuar edhe vizitën e Thaçit dje në veri të vendit, i cili ndër të tjera tha se është më se e drejtë që një president të t’i vizitojë kapacitetet e shtetit të tij.

“Ujmani është i të gjithëve që jetojnë në Kosovë. Edhe Thaçi është i Kosovës. Kjo është normale dhe mendoj që duhet të ndodhin vizita të tilla. Nuk shoh diçka në kundërshtim me ligjin dhe kushtetutën. Është e paraparë që presidenti të vizitojë kapacitete të vendit”.

Ndryshe ai në fund pati disa fjalë edhe për protestën e djeshme organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje, ndërsa falënderoj protestuesit për maturinë, por ndër të tjera tha se vendosja e flamujve shtetëror në protestë do të kishin ndihmuar dhe më shumë mesazhin për të cilën kanë ngritur zërin./Indeksonline/