12:05 / E Martë, 07 Maj 2019 / indeksADMonline

Haradinaj për takimin e Berlinit: Po flasin disa që kanë qëndruar nëpër korridore

Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj është prononcuar para mediave pas përfundimit të mbledhjes së rregullt të Qeverisë.

Me këtë rast Haradinaj foli edhe njëherë për takimin e Berlinit, ku tha se çfarë është raportuar rreth një përplasje të mundshme të tij në Berlin me presidentin e Francës, Emanuel Macron nuk është e vërtetë. Ai tha se për këtë po flasin ata që qëndruan në korridore e që në fakt nuk e kuptojnë as gjuhën frënge e se dinë çfarë të dy folën bashkë.

Tutje Haradinaj tha gjithashtu se marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk kanë qenë kurrë më të mira se tani.

“Marrëdhëniet do të forcohen, pra asnjëherë më të mira marrëdhëniet me ShBA-të se tani nuk kanë qenë. Qoftë në fushën  politike, ekonomike, energjetike apo gjithçka tjetër. Gjenerali Orr është mik i Ksoovës dhe ka tetë vjet që është këtu në shërbim. Gjithmonë në përkrahje të FSK-së dhe jo vetëm”, tha ai.

Haradinaj gjithashtu foli edhe për presidentin serb, Aleksandar Vuçiq ku tha se ai dhe të tjerët kanë një shekull që gatuajnë në kuzhina ide për ndarje të tokave shqiptare.

“Ideja e Vuçiq-it e Daçiqt e të tjerëve është qe një shekull, pra gatuajnë në kuzhina ide për ndarje të tokave të shqiptarëve. Por besoj e kanë marrë vesh se s’mund t’i ndajnë më tokat e shqiptarëve dhe as nuk mund t’i luajnë kufijtë, do të varrosen politikisht të gjithë ata që shkojnë rrugës së kufijve”, shtoi Haradinaj, transmeton Indeksonline.

“Edhe unë kam pa disa prononcime në media se po folin që jo ata kanë nejt nëpër koridore por në fakt ata as nuk e dinë çfarë ka ndodhur aty. Unë kam fol në gjuhën frënge me presidentin Macron dhe nuk e di këta që po flasin a dinë të komunikojnë frëngjisht.Njejtë me kancelaren Merkel, ata që po flasin prej korridoreve le të enden e di që janë nervoz, por nuk kam çfarë u bëjë”, tha ai.

Haradinaj u pyet gjithashtu se çfarë po ndodhë me pagesat për të burgosurit politik, ku tha se prej sot janë krijuar të gjitha kushtet për të filluar me pagesat.

“Sot nën kupton se është marrë vendim pra janë kriju të gjitha kushtet paraprake për pagesë”, shtoi ai./Indeksonline/