09:52 / E Enjte, 14 Shkurt 2019 / indeksADMonline

“Përfundimisht ka dakordim për Platformën e dialogut Kosovë-Serbi”

Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj është deklaruar për media pas daljes nga takimi që pati me përfaqësuesit e tjerë të vendit lidhur me Platformën e dialogut Kosovë-Serbi.

Me këtë rast Haradinaj tha se përfundimisht ka një dakordim për Platformën e Kosovës  në dialog dhe tani procedurat tjera janë që kanë qenë në fillim nga vetë delegacioni shtetëror që të mund t’i kalojnë parlamentit.

“Mendoj se Platforma është dokument i qëndrueshëm, i parimeve dhe qëllimeve që ka Kosova në dialog, buron nga Kushtetuta, e mbron Kushtetutën dhe i obligohet çdo etape të procesit i obligohet kushtetutshmërisë, mendoj se është një garancë e mirë Platforma ashtu siç është edhe delegacioni”, ka thënë Haradinaj, shkruan Indeksonline.

Tutje Haradinaj është pyetur nëse në këtë takim ka qenë edhe presidenti i vendit, Hashim Thaçi dhe nëse i është dhënë përkrahje edhe nga ana e tij, ku ka shtuar se mund të flasë për veten.

“Ajo që sot ishte me rëndësi, ishte vetë Platforma dhe mendoj se është dokument i qëndrueshëm. Pra unë po flas për vete, i dhashë përkrahje Platformës. Dje kam pas mundësinë të bisedoj edhe me grupin parlamentar të AAK-së.Me siguri se do të mbajmë konsulta edhe me liderë të tjerë politikë, edhe opozitar sa i përket kësaj teme, është nacionale. Edhe nëse LDK e Vetëvendosje nuk marrin pjesë direkte në delegacion, besoj se mund të japin kontributin e vetë qoftë duke përkrahë atë apo qoftë duke dhënë mendimet e tyre për Platformën”, ka shtuar Haradinaj.

“Pjesëmarrja në këto takime ka pas rëndësi përkrahja për Platformën për dialog e cila i jep Kosovës një platformë të qëndrueshme që i obligohet Kushtetutës, pra në këto takime për këtë temë vijmë, tjerat tema i kemi biseduar shumë herë nuk i kisha përzi temat, pra tema në këtë rast është obligim nacional”, ka thënë tutje Haradinaj.

Ai poashtu u pyet për deklaratën e presidentit Thaçi, ku tha se mospezullimi i taksës dëmton raportet me Amerikën. Me këtë rast Haradinaj tha se Amerika flet vet dhe se askush nuk është zëdhënës i Amerikës.

“Amerika flet vetë, as presidenti as unë as askush nuk është zëdhënës i Amerikës nuk kanë nevojë askush të flasë për ta, ata flasin vetë dinë të falsin i shpjegojnë gjanat”, ka përfunduar Haradinaj./Indeksonline/