22:49 / E Diele, 03 Dhjetor 2017 / indeksADMonline

Haradinaj: Përgjigja është te ata që gabuan demarkimin me Malin e Zi, jo te ne që kundërshtuam

Qytetarët e Kosovës vazhdojnë të jenë të izoluar sa i përket lëvizjes pa viza, e një ndër çështjet që duhet përmbushur Kosova për këtë ,është shënjimi i vijës kufitare me Malin e Zi.

E mëngjesin e nesërm pritet që kryetari i Komisionit Shtetëror për Shënjimin e kufirit me Malin e Zi, Shpejtim Bulliqi të raportojë  para kryeministrit të vendit, Ramush Haradinaj.

Mbledhja fillon në orën 09:00, ndërsa duhet përkujtuar që kryeministri Haradinaj ka thënë se pas njohjes së materialit nuk mbetet shumë punë pos të procedohet në Kuvend.

I kontaktuar nga Indeksonline lidhur me çështjen e demarkimit dhe bllokimit të kosovarëve për liberalizim me viza, deputeti nga radhët e AAK-së, Daut Haradinaj, është deklaruar se për këtë çështjen nuk duhen përgjigjur ata që e kundërshtuan demarkimin e gabueshëm.

“Për këtë duhet të përgjigjen ata që e bën këtë demarkimin e gabueshëm, e jo ne që e kundërshtuam atë”, ka thënë  Haradinaj.

Sipas tij zgjidhja më e mirë për gjithë këtë do të ishte rinegocimi me Malin e Zi.

“Zgjidhja më e mirë do të ishte rinegocimi me Malin e Zi, pasi ne edhe ashtu kemi raporte të mira me këtë shtet. Gjithsesi që ne po mundohemi të gjejmë zgjidhjen më të mirë të mundshme teksa po presim edhe të gjeturat e Komisionit, e më pas shohim”, ka shtuar Haradinaj.

Duhet shtuar se çështja e zgjidhjes së demarkimit vazhdon të jetë një ndër porositë e vazhdueshme të secilit përfaqësues të vendeve të huaja, duke mos anashkaluar edhe luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit./Indeksonline/