75 Mall Live Search
16:07 / E Enjte, 10 Maj 2018 / indeksADMonline

Haradinaj premton rritje të pagave për mantelbardhët

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj pas takimit që zhvilloi me ministrin e Shëndetësisë, Uran Ismaili tha se me qeverisjen e tij gjendja në shëndetësi ka ndryshuar për të mirë.

Sipas tij në Ministrinë e Shëndetësisë po bëhet punë e madhe me qëllim që t’iu jepet dinjiteti i merituar mjekëve.

“Sot mund të konstatojmë se gjendja është ndryshe në shëndetësi, pra veç ka shumë më shumë seriozitet, shumë më shumë dinamik besoj edhe rezultate. Por si rezultate të mirëfillta i marrin ato periudhat e veta kohore por do të arrijmë atje. Është për mua shumë me rëndësi me thanë që mjekët në përgjithësi në Kosovë, personeli mjekësor po ashtu janë heronjtë tanë, mirëpo edhe këtu bëhet një punë e madhe që atyre me iu dhënë edhe dinjitetin e tyre”, tha Haradinaj.

I pyetur për ngritjen e pagave të mjekëve, kreu i ekzekutivit u zotua se kjo çështje nuk do të shkojë në pakufi, duke u zotuar se vitin e ardhshëm do ndodh gjithsesi.

“Çështja e pagave për mjekët dhe personelin mjekësor, ne u jemi shumë borxh mjekësve dhe personelit mjekësor se na kanë respektuar edhe si Qeverisë sepse ata përpos ngritjes së zërit të tyre edhe zërit ta quajmë sindikal e pranuan edhe një dialog me ne dhe ne do ta respektojmë këtë dialog me ligjin për pagat, kategorizimi dhe të gjitha ato kuota do të jenë të respektueshme për mjekët dhe personelin mjekësor, pra nuk do shkon në pakufi kjo kohë, vitin e ardhshëm financiar gjithqysh”, u shpreh Haradinaj.

Kurse, ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili tha se do i mbështesin punëtorët shëndetësorë përmes ngritjes të pagave dhe përmes një sistemi më të mirë të menaxhimit.

“U zotuam ashtu siç është edhe zotimi jonë qeveritar që do bëjmë zgjidhje në sektorin e shëndetësisë. Do mbështesim punëtorët shëndetësor me ngritje të pagave do t’i mbështesim me një sistem më të mirë të menaxhimit do të mbështesim edhe kuadrot të cilat janë ashtu siç kemi bërë ditë më parë me specializantët të cilët i kemi mbështetur financiarisht. Pra jemi duke bërë hapa gradual por të vendosur dhe me fokus që shëndetësia në Kosovë në mandatin qeveritar tonë të përmirësohet shumë dukshëm nga ajo që e kemi gjetur”, ka deklaruar Ismajli.

Ministri i Shëndetësisë foli edhe për mungesën e barnave me ç’rast tha se MSH është në përfundim të një zgjidhje për furnizim me barna.

“ Jemi në përfundim të zgjidhjes përfundimtare, pra jemi në përfundim të blerjes së barnave, kemi punuar edhe dje që ka qenë ditë pushimi, ka pasur këtu takime pikërisht për këtë punë pra që të ketë furnizim të rregullt, blerje të rregullt. Ajo është një pikë për të cilën them se kërkon një dedikim ditor deri sa të arrihet rezultati i cili unë jam shumë i bindur që do ta shohim gjatë javëve, muajve pak në fillim. Zotohem se do të bëjmë zgjidhje që barnat, qytetarët mos të arrijnë me bë blerje siç bëjnë sot ku ti hyn dhe del me një grusht barnash që ti duhet t’i sjellësh në spital për me bë një zgjidhje ”, tha Ismajli.

Haradinaj në Ministrinë e Shëndetësisë është takuar edhe me drejtorët e departamenteve në këtë Ministri ku i pranishëm ishte edhe drejtori i QKU-së Basri Sejdiu.