Haradinaj prezanton para Ambasadorëve draftin e marrëveshjes obligative Kosovë-Serbi
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj e ka prezantuar sot para ambasadorëve të Quintit draftin e parë të marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë.
Ai në një postim në Facebook, ka shkruar se draft-dokumenti me anekset përcjellëse, iu është dorëzuar edhe të gjithë bartësve të institucioneve dhe kryetarëve të të gjitha subjekteve politike, transmeton Indeksonline.
Më poshtë postimi i Haradinajt:
Sot, përpara ambasadorëve të vendeve të Quint-it, kam paraqitur draftin e parë të Marrëveshjes Gjithëpërshirëse Ligjërisht Obligative ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë. Ky draft-dokument është dokument mbështetës për procesin ekzistues të dialogut, si dhe aspektet që ndërlidhen me përshpejtimin e këtij procesi.
Shefi i Dialogut Teknik, Avni Arifi, ka prezantuar kapitujt, që për ne do të përbëjnë parametrat kryesorë të marrëveshjes, e cila do t’i hapë rrugë normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Draft-dokumenti me anekset përcjellëse, iu është dorëzuar edhe të gjithë bartësve të institucioneve dhe kryetarëve të të gjitha subjekteve politike.
Në ditët dhe javët në vijim, ky draft-dokument do të diskutohet me të gjitha palët në shoqërinë tonë, për të arritur te dokumenti përfundimtar, ku do të përfshihet ekspertiza e të gjithëve. /Indeksonline/