09:18 / E Premte, 11 Maj 2018 / indeksADMonline

Haradinaj: Qeveria është e përkushtuar të ringjall “Trepçën”

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se Qeveria është e përkushtuar që “Trepçën” ta ringjall.

Ai në një postim në Facebook ka shkruar se do të punohet që të hartohet sa më shpejt statutit i “Trepçës”, transmeton Indeksonline.

“Me Bordin Mbikqyrës të Trepçës u dakorduam për hapat e mëtejmë të konsolidimit të menaxhmentit dhe për hartimin sa më të shpejt të statutit të ‘Trepçës’. Qeveria është e përkushtuar që Trepça të ringjallet dhe të kthehet në shërbim të zhvillimit të Kosovës”, ka shkruar Haradinaj.

Kryesuesi i Bordit Mbikëqyrës të “Trepça, Sh. A.”, Ardian Syla, e njoftoi kryeministrin Haradinaj me punët që janë bërë që nga takimi i parë, në hartimin e statutit të Trepçës, regjistrimin e saj si shoqëri aksionare si dhe për zgjedhjen e bordit menaxhues.

Kryeministri Haradinaj, inkurajoi anëtarët e Bordit që përkushtohen në zgjidhjen dhe tejkalimin e gjitha problemeve, veçmas në finalizimin e statutit, duke ofruar mbështetjen e pakursyer të qeverisë.

Në takim morën pjesë edhe zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka dhe ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj. /Indeksonline/