17:23 / E Enjte, 14 Dhjetor 2017 / indeksADMonline

Haradinaj: Rënia e Mujë Krasniqit, ndër momentet më të hidhura

Rënia e Mujë Krasniqit është një ndër momentet më të dhimbshme dhe vepra e tij do të kujtohet dhe nderohet me pietet nga të gjithë ne.

Kështu u tha në një akademi përkujtimore organizuar nga Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve të luftës së UÇK-së për nder të rënies heroike të komandantit të Brigadës 133 Mujë Krasniqi dhe 41 dëshmorëve të kombit, në kufirin shqiptaro-shqiptar, më 14 dhjetor 1998.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj tha se rënia e Mujë Krasniqit është njëri ndër momentet më të hidhura dhe të paharrueshme.

“Muja nuk përtoi që ta mbajë luftën gjallë dhe rënia e tij është në momentin më të dhimbshëm që kemi pasur. Ne të gjallët kemi kohë ta nderojmë këtë vepër dhe jam i bindur shumë shpejt do të kemi një memorial ashtu siç i takon këtyre luftëtarëve”, tha ai.

Ndërsa kryetari i Shoqatës së familjareve të luftës Xhavit Jashari tha ka ende shumë dilema nëse është përmbushur amaneti i dëshmorëve.

“Në këtë përvjetor të rëndësishëm të dëshmorëve të rënë në Brigadën 113 bashkë më komandantin Mujë Krasniqi shtrohet një pyetje, se a po realizohet amaneti i dëshmorëve të kombit? Këto dilema janë të pranishme edhe sot qofte se ne shqiptarët nuk kemi pasur mundësi që të bëjmë realitet, nëse nuk kem mundur ta realizojmë bashkimin e kufirit shqiptar. UÇK përveç sakrificës që duhet bërë për liri, ata po ashtu rrinë mbrapa betimit të një ushtrie që duhet dhënë jetën për liri”, tha Jashari.

Të pranishmit i përshëndeti edhe babai i Mujë Krasniqit, Halil Krasniqi.

“Respekt për të gjithë ju që keni ardhur këtu në këtë akademi përkujtimore” tha ai.