11:24 / E Enjte, 03 Maj 2018 / indeksADMonline

Haradinaj: S`e kam hallin tuaj, jam rrit në katun e në intervista flas për të më kuptuar ata njerëz

Driton Selmanaj, deputet i LDK-së ka pyetur kryeministrin Ramush Haradinaj rreth çështjes që u ngrit së fundmi se mos presidenti Hashim Thaçi dhe homologu i tij serb, Aleksandar Vuçiq po flasin për ndarje territoresh.

“Kemi konsulta të rregullta me presidentin Thaçi dhe jam i interesuar për agjendën e dialogut, me e kuptu përmbajtjen dhe çdo gjë rreth kësaj teme. Nuk kam dijeni se ka pas biseda për ndarje, në fakt më është përmend ndarja edhe mua edhe tjerëve, por më shumë si ide që mund të buron nga Serbia”, ka thënë ai, raporton Indeksonline.

Në anën tjëtër, Selmanaj i ka shtruar pyetje edhe rreth formimit të Asociacionit të Komunave Serbe, teksa ka cituar kryeministrin të ketë thënë në një intervistë se as nuk e ka lexuar atë marrëveshje më që nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese.

Haradinaj me këtë rast ka deklaruar se ai në intervista flet në gjuhën që e kuptojnë edhe katundarët e rajonit prej nga vjen ai.

“ Kur komunikoj në intervista nuk e kam hallin e juve deputetëve sepse ju po keni mënyrë më mbërri tek informatat, por unë vij prej katuni jam lind e rrit atje, flas me një gjuhë sa më të thjeshtë që me kuptu edhe ata të katunit, se unë jam rrit në katun”, ka thënë ai, raporton Indeksonline.

Lidhur me Asociacionin, Haradinaj sërish ka përmendur platformën që rrjedhi nga Qeveria, por që kryeministri thotë se tashmë u takon deputetëve ta shqyrtojnë atë.

“Kanë ndodhë disa teori konspirative, por Kosova është mië me pas kujdes çka do me përvetësu. Ndoshta kjo është hera e fundit kur do të jemi në situatë kur do të definohet përspektiva jonë afatgjatë por i kisha lut partitë politike të mos nxitohen, ata që janë në tavolinë, më mirë me qenë me pa materien sesa me pyet dikë, sikur rasti ynë.  Arsya pse e kemi sjellë platformën, ajo është e Qeverisë, por e gjithë popullit dhe nga momenti që e kemi sjellë te ju, ajo është e juaja”, ka thënë ai./Indeksonline/