15:25 / E Enjte, 10 Maj 2018 / indeksADMonline

Haradinaj: Së shpejti do të zgjidhet çështja e pagave për mjekët dhe personelin mjekësorë

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka vizituar sot Ministrinë e Shëndetësisë, ku është pritur nga ministri Uran Ismaili.

Shefi i ekzekutivit gjatë vizitës tha se shëndetësia ka qenë tema prioritare si fillim i punës së tyre si Qeveri.

“Falënderoj ministrin që e ka marrë me seriozitet këtë punë. Gjendja është ndryshe sot në shëndetësi, personeli mjekësor dhe mjekët në Kosovë janë heronjtë tanë”, ka thënë Haradinaj.

Ai ka premtuar se çështja e pagave për mjekët dhe personelin mjekësor do të rregullohet së shpejti.

“U jemi shumë borxh atyre (mjekëve) me ligjin për pagat dhe rishikimin e buxhetit jemi duke shikuar që ta rregullojmë këtë çështje”, theksoi Haradinaj.

Kurse, i pari i Shëndetësisë, Ismaili paralajmëroi se do të bëjnë zgjidhje në sektorin shëndetësor.

“Do të mbështesim punëtorët shëndetësor me ngritje të pagave me një sistem më të mirë të menaxhimit”, ka thënë Ismaili, duke shtuar se po bëhen  hapa gradual që shëndetësia në mandatin e tyre të përmirësohet dukshëm. /Indeksonline/