13:46 / E Enjte, 05 Korrik 2018 / indeksADMonline

Haradinaj-Shalës: Deri në shtator, e vetmja temë e vjetër do të mbetet gjyqësori

Kujtim Shala nga LDK-ja ka drejtuar akuza të drejtuar ndaj kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj. Ai ka vazhduar replikat për pagesën prej 53 milionëve dhënë Bechtel-Enkas për zgjatjen e punimeve në autostradën Prishtinë-Hani i Elezit.

Shala ka thënë se kryeministri po e bën edhe më të paqartë dhënien e 53 milionë eurove, duke arsyetuar se qeveria Mustafa nuk i ka paguar 14.7 milionë euro pasi që do të ishte vendim i paragjykuar, ndërsa vendimin e qeverisë Haradinaj e ka quajtur arbitrar dhe të pabazuar ligjërisht.

“Përfaqesuesit e Qeverisë kanë qenë të paqartë, Kryeministri me fjalën e sotme e ka bërë edhe më të paqartë”, ka thënë Shala, duke shtuar se nuk është marrë vendimi për ta paguar 14.7 milionë euro në Qeverinë Mustafa sepse do të ishte vendim i marrë me paragjykim.

Ai i është kundërpërgjigjur Haradinajt, i cili tha se mjetet që duhej t’i paguheshin Bechtel-Enkas janë dërguar në komunat ku ka qeverisur LDK.

“Gjatë kohës kur kam qenë ministër, projektet më të shumta i kam pasur në komunat ku ka qeverisur AAK, në Decan, në Obiliq, prandaj shikoni me kujdes”, ka thënë Shala, raporton Indeksonline.

Ndërsa, ai ka thënë se deri më tani Qeveria nuk ka publikuar asnjë lloj dokumenti relevant në lidhje me koston e paguar ndaj Bechtelit, dhe vendimin e qeverisë Haradinajt për ta paguar 53 milionëshin si vendim arbitrar.

 

Atij i është kundërpërgjigjur kryeministri Haradinaj. Ai ka theksuar se kur e mori timonin e qeverisë e gjeti cështjen e Bechtel Enkas në zyre.

“Unë e  kam gjet në tavolinë këtë çështje, s’kam pasur nga ta qoj. Vetne ministrin tuaj pse është kthy dy herë ky projekt. Nuk keni pasur burra në arbitraritet, ajo çështje prandaj ka mbërri në mbi 63 milionë, ja çka i ka bo mungesa e arbitraritetit këtij vendi. Jam dëshmitar i kësaj, sepse nëse ka ardhur nga ju kjo, atëherë e di deri ku do të mund të shkonte”, ka thënë Haradinaj.

Ai ka shtuar se një qeveri tjetër po të ishte në vendin e kësaj të tashmes, do t’i falënderonte që i ka marr përsipër borxhet.

“Unë skam mundur me u tut prej këtij fakti e me vazhdu me ia rrit vendit borxhin. Në rrethana tjera dikush do i thonte qeverisë faleminderit që e more përsipër fajin. Deri në shtator e vetmja temë e vjetër ka me qenë gjyqësori,  e nuk ka me pas tema të vjetra. Ju doni që qytetarët të thojnë se ky kryeministër po i merr vendimet paushall”, ka theksuar Haradinaj.

Në fund, përsëriti se kjo gjendje është shkaktuar nga mungesa e arbitraritetit. /Indeksonline/