16:09 / E Premte, 24 Gusht 2018 / indeksADMonline

Shala: Ibrahim Rugova u tërhoq nga kjo ide, pas reagimeve të ashpra të amerikanëve!

“Ndarje të Kosovës-jo, këmbim territoresh-po”, ky ishte titulli i intervistës së Ibrahim Rugovës, ku pranonte shkëmbimin e territoreve me Serbinë. Kjo ide kishte bërë bujë të madhe në atë kohë. Por, nuk u kishte pëlqyer aspak amerikanëve. Menjëherë pas reagimeve, Rugova ishte tërhequr plotësisht nga deklarata e tij. Madje, ai nuk e ka përmendur më kurrë një mundësi të tillë. Pas më shumë se dy dekadave deklarata e njëjte po përdoret nga presidenti aktual i Kosovës, Hashim Thaçi, për të shtyrë përpara shkëmbimin e kufijve me Serbinë.

Intervistën e Ibrahim Rugovës e kishin zhvilluar gazetarët Blerim shala dhe Halil Matoshi në vitin 1994.

Autori i intervistës Blerim Shala Në T7 ka sqaruar se si Rugova u tërhoq nga ideja për shkëmbim të territoreve me Serbinë pasi u kundërshtua ashpër nga amerikanët.

“Në një intervistë Rugova pati dalë me një ide që tash po përmendet, puna e shkëmbimit të territoreve. Ai ka dalë në vitin 1994 me këtë ide. Në intervistën që e pat dhënë për mua dhe për Halil Matoshin. Po pastaj pat reagime nga State Department’i dhe pati reagime shumë të ashpra personale ndaj Rugovës. Pastaj ai na thirri në shoqatë të shkrimtarëve edhe mu lut në mënyrë shumë njerëzore, tha a bon me thanë që ju nuk e keni nxjerrë si duhet intervistën. Thash kjo është puna ma e vogël që mund ta bëjë edhe mënjeherë në numrin e ardhshëm na e dham shpjegimin që ka pas gabime në nxjerrjen e intervistës”, pohon Shala.

Me tej Shala tha se Rugova e kishte parë që në atë kohë është gabim të flitet për shkëmbim të territoreve sikurse është gabim të flitet edhe tani.

“Ai e ka pa që është gabim të flitet në atë kohë për shkëmbin të territoreve sepse edhe sot e asaj dite ne mendojmë që është gabim të flitet për shkëmbim të territoreve”, thotë Shala.

Sidoqoftë, Thaçi, dje e sot është thirrur në këtë deklaratë të Rugovës për të promovuar idenë e tij për shkëmbim të territoreve me Serbinë.

“Jo ndarje të Kosovës, por po shkëmbimit të territoreve “, ky ishte qëndrimi realist dhe i guximshëm i Presidentit Ibrahim Rugova në vitin 1994. Ndërsa, qëndrimi im sot si President i Republikës së Kosovës ka evoluar dhe është i qartë: jo ndarje, jo shkëmbim, po korrigjimit të kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për të mundësuar bashkëngjitjen e Preshevës, Bujanovcit dhe Medvegjës me Kosovë”, shkruante Thaçi dje në Facebook. Ndërsa sot postoi një fletë të gazetës nga intervista e Rugovës.

Thaçi, ka mbetur i vetëm në iniciativën për korrigjim të kufirit mes Kosovës dhe Serbisë. Ai nuk e ka mbështetjen as të pozitës e as të opozitës. Vende mbështetëse të Kosovës, siç janë Britania dhe Gjermania, si dhe njohës të çështjeve të Ballkanit janë deklaruar kundër një ideje të mundshme për shkëmbim apo ndryshim të kufijve në Ballkan.