11:15 / E Martë, 30 Janar 2018 / indeksADMonline

Haradinaj: Sot fillon procesi i identifikimit dhe verifikimit të viktimave të dhunës seksuale

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se nga sot fillon procesi i identifikimit dhe i verifikimit formal të viktimave nga komisioni profesional qeveritar.

Përmes një statusi në Facebook, ai thotë se ka kërkuar nga atë gjithë të përfshihen në këtë proces, që të jenë të përgjegjshëm në kryerjen e mandatit human që kanë marrë përsipër.

Ky është postimi i tij:

Në ditët e para të qeverisjes, kemi marrë vendim për shumën e kompensimit mujor prej 230 euro, për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës. Kjo është më e pakta që shteti ka mundur të bëjë në mbështetje shtetërore për këta persona shpirtërisht dhe fizikisht të lënduar.

Kjo kategori e shoqërisë, e stigmatizuar, ka mbetur për një periudhë të gjatë kohore pa përkrahjen dhe ndihmën tonë.

Sot po fillon procesi i vështirë i identifikimit dhe i verifikimit formal të viktimave nga komisioni profesional qeveritar.

Kam kërkuar nga të gjithë të përfshirët në këtë proces, që të jenë të përgjegjshëm në kryerjen e mandatit human që kanë marrë përsipër.

Unë besoj që ky proces do të shkojë mbarë – të jetë kredibil dhe serioz.

RH