17:15 / E Martë, 12 Qershor 2018 / indeksADMonline

Haradinaj: Sot morëm vendime shumë të rëndësishme

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka komentuar mbledhjen e sotme të Qeverisë, në të cilën sipas tij, janë marr vendime shumë të rëndësishme.

Në një postim në Facebook, Haradinaj ka njoftuar për vendimet që janë marr, prezantimin e Apodtalovas, vendimin për Prizrenin, luftën kundër krimit dhe korrupsionit, etj, transmeton Indeksonline.

Më poshtë postimi i plotë i Haradinajt:

Edhe kjo Mbledhje e Qeverisë ishte e vendimeve të shumta dhe të rëndësishme. Prezantimi i zonjës Apostolova, ishte edhe një konfirmim se Kosova fuqishëm qëndron në rrugën drejt integrimit evropian. Qeveria e Kosovës mbetet e përkushtuar që sfidat drejt anëtarësimit të plotë të adresohen në mënyrën më efikase të mundshme.

Sot Prizreni ka të drejtë të festojë. Me kërkesë të kryetarit Haskuka, Qeveria e Kosovës i dha në shfrytëzim Komunës së Prizrenit, hapësirën për krijimin e Zonës së Veçantë Industri të Lehtë “Parku i Biznesit”, Zona Kadastrale Lubizhdë. Krijimi i kësaj zone industriale ka për qëllim ofrimin e saj në shfrytëzim për investitorët vendorë dhe të jashtëm, e cila do të ndikojë në zhvillimin ekonomik në Komunën e Prizrenit.

Njëkohësisht, sot i kemi dhënë një impuls të fuqishëm luftës kundër krimit dhe korrupsionit në Kosovë me aprovimin e Projektligjit për Kompetencat e Zgjeruara për Konfiskimin e Pasurisë. Me këtë ligj, abuzuesve me paranë publike, dhe të gjithë atyre që përfitojnë në mënyrë kriminale, u dërgohet mesazh, se përveç se do të ndiqen penalisht, pasuria dhe prona e përfituar do t’u konfiskohet dhe do t’i kthehet shtetit.

Në shërbim të fuqizimit të ligjit, sot më tepër se 600 prokurorë dhe gjykatës kanë përfituar nga vendimi i Qeverisë për Nivelizimin e Pagave, i përligjur nga Gjykata Kushtetuese. Ky vendim ndihmon thelbësisht përmirësimin e kushteve të punës të gjyqtarëve dhe prokurorëve. /Indeksonline/