13:50 / E Shtunë, 23 Janar 2021 / Blerim

Haradinaj-Stublla: Mundësia e vetme për Serbinë është njohja e pakusht e Kosovës

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla, tha se mundësia e vetme e Serbisë në finalen e madhe të dialogut është njohja e pakusht e pavarësisë së Kosovës.

“Do ta ballafaqojmë çdo ditë Serbinë me të kaluarën e saj gjenocidale dhe në finalen e madhe të dialogut, me Ramush Haradinajn president, Kosova do të qëndrojë e paprekur, e pacenuar dhe unike ndërsa njohja e pakusht e Kosovës do të jetë rruga e vetme, pra e VETMJA MUNDËSI për Serbinë”, u shpreh ajo gjatë një takimi me banorët e Lybeniqit në Pejë.

“Sot ishim në Lybeniqin tim, në shtëpinë bujare të bacës Ahmet Ukshinaj, në zemër të Dukagjinit – fortesës së pamposhtur të Kosovës në luftën e drejtë për liri, pavarësi e për pagjunjëzim ndaj Serbisë.

Me bujarët e vendit tim, me fjalë të sinqerta, u beslidhëm që do të vazhdojmë zëshëm të jehojmë në Prishtinë e në botë”, tha ajo, duke shtuar se “njëzetedy vjet pas lufte, ne qëndrojmë këtu, për t’ju dhënë besën se do të punojmë e s’do të lëmë gur pa lëvizur derisa Serbia të dënohet dhe paguajë çmimin për gjenocidin e kryer në fshatin tonë, më 25 maj 1998 dhe më 1 e 7 prill 1999 dhe për masakrat e tjera në Kosovë!”.