17:16 / E Mërkurë, 12 Shtator 2018 / indeksADMonline

Haradinaj thotë se pret lajm të mirë nga Parlamenti Evropian për liberalizmin e vizave

Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj ka thënë se pret lajm të mirë për liberalizim të vizave nga ana e Parlamentit Evropian.

Sipas Haradinajt, Kosova ka forcën të ecë përpara drejtë Evropës, transmeton Indeksonline.

“Kosova ka forcën të ecë përpara drejtë Evropës, drejtë NATO-s, drejtë miqësisë me Amerikën, pra botës perëndimore. Këto ditë jemi në pritje të lajmit të mirë edhe nga Parlamenti Evropian për liberalizimin e vizave”, ka thënë Haradinaj.

Ndryshe nesër pritet që Parlamenti Evropian  të votojë rekomandimin për liberalizmin e vizave për Kosovën dhe pas këtij votimi, do të konfirmohet mandati për fillimin e bisedimeve me vendet anëtare të Bashkimit Evropian, në mënyrë që Kosovës t’i mundësohet liberalizmi i vizave.

Hradinaj në një konferencë për media pas takimit që zhvilloi me kreun e PDSH-së, Menduh Thaçi tha se zgjidhja me Serbinë nuk mund të arrihet përmes territoreve dhe kufijve.

“Sot kemi pasur mundësinë që të takohemi zyrtarisht me Menduh Thaçin për të diskutuar temat aktuale këtu dhe në Maqedoni, e në veçanti për temën e përbashkët – shqiptarët. I themi po referendumit në Maqedoni dhe ajo të anëtarësohet në NATO. Presidenti ka që dy ditë që jemi takuar me të. I diskutojmë të gjitha temat, kemi mendime ndryshe deri te një marrëveshje finale me Serbinë. Mendoj se Kosova, përkundër që ka dhimbje të mëdha, prapë e gjen forcën me ec përpara me ec drejt NATO-së e BE-së. Jemi shumë të interesuar për një zgjidhje, por kjo s’mund të arrihet përmes territorit dhe kufijve”, ka deklaruar Haradinaj.

Ndërsa Thaçi ka deklaruar se partitë shqiptare po punojnë për një rezultat pozitiv të referendumit në shtetin maqedon.

“Çështja kryesore që është diskutuar sot është referendumi në Maqedoni. Një moment historik për shqiptarët në Maqedoni, dhe të gjitha partitë shqiptare po punojmë në këtë aspekt. Besoj në një rezultat jashtëzakonisht pozitiv. Besoj se do të jetë pozitive pasi i kemi borxh perëndimit. Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë padyshim se ka efekt edhe në Maqedoni e rajon. Pa diskutim kam një besim të plotë në institucionet e Kosovës se do të punojnë në të mirën e Kosovës”, ka thënë Menduh  Thaçi./Indeksonline/