12:13 / E Hënë, 29 Janar 2018 / indeksADMonline

Haradinaj tregon agjendën për takimin me kryeministrin malazez, Markoviq

Kryeministri malazez, Dushko Markoviq, pritet ta vizitojë Kosovën në fillim të shkurtit, ku edhe do të pritet nga kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj.

Megjithëse është folur se mund të ketë bisedimet rreth çështjes së Demarkacionit, në takimin e përbashkët që do e ketë ai me Haradinajn, nuk do të ketë negocim për Demarkacionin.

Kështu ka njoftuar kryeministri Haradinaj, në konferencën për media të mbajtur pas mbledhjes së Qeverisë.

Sipas tij, qëllimi i kësaj vizite është thellimi i marrëdhënieve të mëtutjeshme mes këtyre dy vendeve.

“Qëllimi i kësaj vizite ka thellimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, pra ky është qëllimi kryesor. Kosova ka një ide bashkëpunimi me Shqipërinë, një ide të tillë kemi edhe me Maqedoninë dhe me Malin e Zi. Sa i përket Demarkacionit, tema është në parlament, nuk ka mbet shumë hapësirë për negocim mes kryeministrave”, ka thënë ai./Indeksonline/