22:55 / E Martë, 15 Maj 2018 / indeksADMonline

Haradinaj tregon kur do të bëhet Kosova me ushtri

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka folur për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri.

Ai ka thënë se pasi ka arritur në tavolinën e tij projektligji për ushtrinë, e ka kthyer atë prapa.

“E kam kthyer ligjin. Ka qenë në Qeveri. E kam kthyer prapa, se ka paraparë ndryshime kushtetuese”, ka thënë Haradinaj në T7, duke shtuar se në mungesë të 2/3 e votave në Kuvend po pamundësohen ndryshimet kushtetuese.

Sipas tij, projektligji duhet të ndryshohet, në mënyrë që ushtria e Kosovës të bëhet vetëm nëpërmjet ligjit.

Haradinaj ka thënë se për çështjen e ushtrisë s’mund të pritet deri në pakufi.

Ai ka shtuar se ushtria e Kosovës do të jetë “forcë e të gjithëve”, që do të ndihmojë për sigurinë e brendshme, por edhe për sigurinë e rajonit.

Kryeministri ka vlerësuar se kjo ushtri s’do ta zëvendësojë KFOR-in.

“Mandati i KFOR-it mbetet i padiskutueshëm. Do ta përkrahim KFOR-in”, është shprehur Haradinaj.

Madje, sipas tij, nuk ka dilemë që opozita do ta përkrahë projektligjin për ushtrinë.

“Të gjithë janë për ta votuar ushtrinë e vendit”, është shprehur ai, duke shtuar se nuk do të shkojë gjatë para se ky projektligj të miratohet në Kuvendin e Kosovës.