13:23 / E Martë, 30 Prill 2019 / indeksADMonline

Haradinaj tregon për çfarë nuk u pajtuan me Thaçin, Ramën, Merkelin e Macronin në Berlin

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka shpalosur detaje nga takimi që është mbajtur dje në Gjermani në kuadër të Samitit të Berlinit, përcjellë Indeksonline.

Haradinaj ka thënë se kancelarja Angela Merkel dhe Presidenti i Francës, Emmanuel Macron e kanë marrë me seriozitet arritjen e një marrëveshje e që rezulton me njohjen e Kosovës nga Serbia.

Kreu i ekzekutivit, ka bërë të ditur se i është kërkuar që taksa ndaj produkteve të Serbisë të hiqet.

Sipas tij, krahas kancelares gjermane e presidentit francez, për pezullimin e taksës kanë qenë edhe kryeministri shqiptar Edi Rama dhe Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

“Kancelarja Merkel dhe Presidenti Macron kanë deklaruar se do ta marrin seriozisht marrëveshjen për njohjen ne Kosovës nga Serbia. Ka pasur propozim kërkesë për pezullim të taksës…Merkel, Macron, Rama e Thaçi,  kanë qenë të gjithë të mendimit se është mirë me pezulluar një kohë me i dhanë shans dialogut” , ka thënë Haradinaj.

Sa i përket lëvizjes të territoreve, sipas Haradinajt, në këtë samit është bërë e ditur se një gjë e tillë nuk duhet të diskutohet.

Haradinaj duke përsëritur qëndrimin e kancelares gjermane ka thënë se lëvizja e kufijve nuk do lejohet pasi do të hapeshin “çështje të mëdha”.

Ndonëse nuk dha detaje lidhur me liberalizimin e vizave, kryeministri Ramush Haradinaj, tha se liderët e Ballkanit Perëndimor janë në dijeni për plotësimin e obligimeve të Kosovës.

Ai ka ritheksuar po ashtu rëndësinë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të jenë garantuese të një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë. /Indeksonline/