75 Mall Live Search
11:56 / E Enjte, 31 Maj 2018 / indeksADMonline

Haradinaj tregon për milionat që Serbia merr nga Kosova

Kryeministri Ramush Haradinaj iu ka përgjigjur kritikave të deputetëve për pagesat e energjisë për serbët e veriut si dhe për marrëveshjen në fushën e energjetikës me Serbinë.

“Kosova tani nuk ka kthim prapa, përveçse daljes nga kjo gjendje. Ka raste kur dikush nuk paguan faturat e energjisë dhe kjo nuk mund të tolerohet më. Por ne kemi ndarë 1 milion euro si një masë emergjente deri te gjetja e një zgjidhjeje. Mendoj se tema është aktuale dhe ne shpet do të vijmë deri te përgjigja. Ky debat është shumë i dobishëm dhe ne e dimë se kjo gjendje nuk mund të vazhdoj pakufi“, ka thënë Haradinaj.

Sipas tij, Serbia po vonon zbatimin e marrëveshjeve të arritura me Kosovën, duke i shkaktuar dëme shtetit të Kosovës. „Është pala serbe që e ka përdorë këtë temë pakufi dhe po tolerohet nga BE e institucione të tjera dhe Serbia kështu po merr 30 milionë euro nga Kosova“, ka thënë Haradinaj.

“Ju siguroj se secili në këtë parlament e kemi një interes që të vendoset rend në treg që të shtrijmë juridiksionin tonë në veri në rrjetin energjetik. Kjo është e drejtë e jona për të operuar në vendin tonë. Mendoj se porosia duhet të jetë e qartë”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj ka diskutuar edhe rreth rolit të tij në dialogun me Serbinë. “Sa i përket dialogut, nuk është detyra e imja që të servisoj ato marrëveshje që janë arritur më parë. Edhe platformën që e kam sjellë këtu nuk është se ia jep pronësinë presidentit. Unë ua kam sjell si platformë që të gjithë ta kenë si pronësi. Ju lus që të mos mbeteni jashtë këtij procesi, ftesa ime është e hapur për të gjithë që të ulemi në tavolinë dhe të dimë për zgjidhjen finale që e pret vendin”, ka thënë Haradinaj.

Nga ana tjetër, Mimoza Kusari-Lila, deputete e Alternativës Demokratike ka deklaruar se Haradinaj nuk ka bërë asgjë për shtrirjen e autoritetit të Kosovës në veri në fushën e energjisë.