16:19 / E Enjte, 26 Prill 2018 / indeksADMonline

Haradinaj tregon se a është i varrosur gjyshi i tij në Beograd

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj, mohon se gjyshi i tij është i varrosur në Beograd, ashtu siç ditë më parë pretendoi analisti i njohur serb Dushan Janjiq. Haradinaj  ka sqaruar se cila është e vërteta ndaj këtyre pohimeve

Zyrtari i AAK-së, njëherësh edhe vëllai i kryeministrit Ramush Haradinaj, ka sqaruar se ai për të cilin ka folur analisti serb, nuk është gjyshi i tij. Haradinaj thotë se bëhet fjalë për axhën e babës së tij.

“Gjyshi im nuk është, gjyshi im është Nur Daut Haradinaj, ndërsa varrin e axhës së Babës tim që edhe sot nuk po e gjejmë, është Ramush Osa Haradinaj që ishte plagosur gjatë Luftës së Dytë Botërore, ka qenë me Brigadat e Shqipërisë”, ka shpjeguar ai për Express.

Siç bën të ditur ai, pas Luftës së Dytë Botërorë e kanë dërguar në Beograd për shërim por fati i tij akoma nuk dihet.

Haradinaj thekson se gojëdhënat thonë që është varrosur në Beograd, por detajet nuk dihen edhe sot e kësaj dite.

“Kjo histori ka ndodhur pas krijimit të raporteve të mira mes Titos dhe Enverit. Edhe pse unë nuk i di mirë detajet por këto janë bisedat që unë i kam dëgjuar nga pleqtë”, është shprehur Daut Haradinaj.

Janjiq, në emisionin ku ka marrë pjesë edhe kreu i radikalëve Vojisllav Sheshel, ka thënë se gjyshi i Ramush Haradinajt është i varrosur në Beograd, në varrezat e myslimanëve.

“Gjyshi i tij ka vdekur në Beograd, është i varrosur në varrezat e myslimanëve afër, Beogradit të ri. Ai ka qenë i afërt me mbretërinë. Është një familje që e ka pasur vendin e saj në Mbretërinë e Jugosllavisë“, ka thënë Janjiq.

Analisti serb ka deklaruar se edhe gjyshi i tij është i varrosur në Kosovë dhe se këtë çështje e ka biseduar me Haradinaj, i cili sipas Janjiq ka dashur t’i tërheqë eshtrat e gjyshit nga Beogradi.

Janjiq ka thënë se Haradinaj do t’i kthejë eshtrat e gjyshit në Deçan. “Gjyshi i Ramushit ende është në Beograd dhe mendoj se duke iu falënderuar emisioni tënd ai do të dalë ta kthejë gjyshin“, është shprehur ai.