75 Mall Live Search
09:29 / E Mërkurë, 04 Korrik 2018 / indeksADMonline

Haradinaj uron 4 Korrikun: Kosova përjetë mirënjohëse ndaj SHBA-ve

Kryeministri Ramush Haradinaj ka uruar shtetin amerikan me rastin e 242 vjetorit të Pavarësisë, duke kujtuar se populli i Kosovës është përjetë mirënjohës ndaj SHBA-ve për ndihmën e pazëvendësueshme në realizimin e aspiratës historike për liri dhe pavarësi.

“Me rastin e 4 Korrikut, Ditës së Pavarësisë, u përcjellë urimet më të përzemërta Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Ambasadës së SHBA-ve në Prishtinë, amerikanëve me mision në Kosovë dhe të gjithë paqeruajtësve në radhë të KFOR-it”, ka shkruar Haradinaj, përcjell KosovaPress.

I pari i ekzekutivit ka shtuar se Kosova me krenari është përcaktuar për aleancë dhe miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Besnikë të idealeve të lirisë dhe paqes, të cilave iu prin Amerika në botë, sot festojmë edhe ne, krah për krah me miqtë tanë”, përfundoi Haradinaj.

Më 4 korrik të vitit 1776, delegatët e 13 kolonive britanike të Amerikës nënshkruan Deklaratën e Pavarësisë, e cila thuhet se ishte shkak i Revolucionit Amerikan.