08:23 / E Diele, 12 Shkurt 2023 / shkelqim osmanaj

Harry Styles e përmbyll me katër çmime mbrëmjen e Brits Awards

Harry Styles ka fituar të katër çmimet për të cilët ishte nominuar, duke përfshirë atë për albumin më të mirë, artistin më të mirë dhe për pop/R&B.

Shfaqja u hap me hitin e tij të madh “As It Was”, i cili fitoi këngën e vitit.

“Unë jam i vetëdijshëm për privilegjin tim këtu sonte”, u shpreh Styles.

Styles falënderoi gjithashtu nënën e tij që e regjistroi në X Factor pa e pyetur, së bashku me anëtarët e tjerë të One Direction, Niall Horan, Louis Tomlinson, Liam Payne dhe Zayne Malik.

Shania Twain, e cila performoi në skenë në Coachella vitin e kaluar me Styles, i dha atij çmimin e tij për këngën e vitit, shkruan BBC.

Më herët, ajo i tha Mark Savage të BBC-së se popullariteti i këngëtarit buron nga fakti se ai është “tepër autentik dhe njerëzit e kuptojnë këtë”.

“Ai është i këndshëm, i pëlqyeshëm, i sjellshëm, është një zotëri”, tha ajo. “Natyrisht që ai është super i talentuar – ai ka gjithçka që ju dëshironi si një fans për të ndjekur, vlerësuar dhe respektuar.”