11:26 / E Premte, 10 Gusht 2018 / indeksADMonline

Hasi për vrasjen në Gjakovë: Prokuroria i shqyrton me prioritet rastet e dhunës në familje (Video)

Policia e Kosovës në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore të Gjakovës po mbajnë një konferencë të jashtëzakonshme për media, lidhur me vrasjen e rëndë që ndodhi të martën në Gjakovë, ku kryefamiljari vrau gruan dhe vajzën.

Nënkoloneli, Ahmet Hasi ka dhënë detaje për krimin e rëndë të së martës, duke thënë se fillimisht rasti ishte hapur si kanosje, pasi e ndjera raportoi bashkë me vëllezërit rastin në polici, raporton Indeksonline.

“Më 07 gusht, 15:30 minuta në Gjakovë ka ardh ankuesja, fatkeqësisht tani viktimë dhe ka thënë se ka pranuar disa mesazhe kërcënuese nga i dyshuari. Policia menjëherë ka filluar masat për arrestimin e tij, fillimisht në shtëpinë e tij e pastaj në disa vende ku kemi pasur informata se mund të jetë ai. Disa herë kemi tentuar edhe të flasim në telefon me të, por pa sukses. Çifti ishte i ndarë tash e një kohë për shkak të një rasti të dhunës në familje, e i dyshuari ka qenë në paraburgim 3o ditë. Nga ankuesja nuk është kërkuar ndihmë as mbrojtje, derisa policia duke parë mesazhet kanë hapur rastin. Pastaj, në orën 21:20 minuta stacioni policor në Gjakovë ka pranuar informatën se ai ka kanosur me armë gruan. Të gjitha njësitet policore kanë dal në vendin e ngjarjes me qëllim të hetimit për rastin. Me të arritur aty, kanë hasur në dy viktima femra pa jetë që dyshohet se janë vrarë nga i dyshuari. Policia ka vazhduar me angazhimin e saj të pandërprerë me qëllim të zbardhjes sa më parë të këtij rasti. I dyshuari është dërguar në stacion, kurse pas një kohe kërkimi është sekuestruar edhe arma që dyshohet se me të u kry krimi”, ka thënë Hasi.

Ai ka theksuar se të dyshuarit i është caktuar masa e paraburgimit prej 48 orësh dhe për këtë është njoftuar edhe Inspektorati policor.

Sipas nënkolonelit Hasi, Prokuroria për të gjitha rastet që i pranon i shqyrton me prioritet, e aq më pak kur janë me çështjet familjare.

“Ne si prokurori kemi lëshuar demant për një deklaratë të prokurorit që është keqkuptuar. Nuk është e vërtet që nuk i kemi marr parasysh ankesat e viktimës. Rastet që na vijnë i trajtojmë me seriozitetin më të madh”, ka thënë Hasi.

Ndërsa, Armend Zenelaj nga Prokuroria Themelore e Gjakovës ka theksuar se ky institucion ka filluar hetimet ndaj të dyshuarit.

Dje ka filluar seanca dëgjimore, por kur i pandehuri kuptoi se ka privuar nga jeta edhe vajzën, ai është alivanosur dhe seanca është ndërprerë. Nga spitali i Gjakovës është dërguar në QKUK dhe kur të marrim informacionin që gjendja e tij është përmirësuar do të vazhdoj seanca dëgjimore ndaj tij”, ka shtuar Zelenaj.