22:44 / E Enjte, 22 Shkurt 2018 / indeksADMonline

Havolli: Rënia në ranglistën e korrupsionit, lajm i mirë për Kosovën

Kosova ka regjistruar një përmirësim në perceptimin publik ndaj korrupsionit për vitin që lamë pas. Sipas gjetjeve të Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit (IPK 2017) të publikuar nga Transparency International. Kjo ecuri pozitive e rendit Kosovën në mesin e vendeve me përmirësimin më të dukshëm në rang global dhe ia ka mundësuar një përparim prej 10 vendesh në renditjen e përgjithshme – nga pozita 95 (2016) në pozitën 85 (2017).

Sipas Drejtorit të Agjencisë Kundër Korrupsionit, z. Shaip Havolli, përmirësimi i raportuar vjen si rezultat i rritjes së efikasitetit të punës së institucioneve të zbatimit të ligjit, në këtë rast edhe Agjencisë Kundër Korrupsionit. Përtej kësaj, sipas tij, kontribut të vazhdueshëm në luftimin dhe parandalimin e korrupsionit vazhdon të jep shoqëria civile dhe medie përmes raportimin dhe monitorimit të rasteve të ndryshme të korrupsionit.

“Pavarësisht gjetjeve pozitive në pasqyrim të punës së institucioneve të zbatimit të ligjit dhe institucioneve përgjegjëse për luftimin dhe parandalimin e korrupsionit, korrupsioni vazhdon të jetë sfida më e rëndësishme e institucioneve dhe shoqërisë kosovare, si dhe ndër kushtet për liberalizimin e vizave”_, ka thënë z. Havolli.

Indeksi  i Perceptimit të Korrupsionit (IPK), i cili klasifikon 180 shtete dhe territore në rang global në performancën e tyre kundër korrupsionit në sektorin publik, është një metodologji që vlerëson perceptimin publik kundrejt korrupsionit. Në krahasim me vitin paraprak, mesatarja e indeksit për vitin 2017 në rang global kanë shënuar një ulje të vogël.