13:09 / E Shtunë, 02 Qershor 2018 / indeksADMonline

‘Milionerët’ e Kosovës i mësojmë pas dy jave!

Ndonëse është paralajmëruar se publikimi i të dhënave të deklarimit të pasurisë për zyrtarët e lartë në Agjencinë Kundër Korrupsionit (AKK) të Republikës së Kosovës të bëhet në muajin qershor, kjo gjë ende nuk është realizuar.

Me përjashtim të disa prej tyre të cilët deklarimin e pasurisë vjetor e kanë bërë në fillim të vitit 2018, shkruan Indeksonline.

Në një prononcim për “Indeksonline”, Drejtori i AKK-së, Shaip Havolli ka treguar se deri në cilën fazë ka ardhur ky institucion lidhur me këtë çështje.

Shefi i AKK-së thotë se pasuria e gjithë zyrtarëve shtetërorë do të mësohet për dy javë.

“Jemi në fazën finale. Brenda 10 dite dalin për të gjithë zyrtarët e lartë. Disa që i kanë dorëzu aplikacionet më herët përshembull mbas vitit të ri janë publikuar ndërsa të tjerët janë në proces të publikimit. Për shkak të numrit të madh të zyrtarëve të lartë nuk janë publikuar deri më tani”, ka thënë Havolli për “Indeksonline”.

Duhet theksuar se deri më tani është bërë e ditur pasuria e Kryetarit të Skenderajit, Bekim Jashari, Nënkryetarit të kësaj komune, Nuredin Lushtaku si dhe Kryetarit të Gjakovës, Ardian Gjinit njëherësh anëtarë i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).

Ndryshe, mos-deklarimi apo deklarimi i rrejshëm i pasurisë nga ana e zyrtarëve të lartë publik përbën vepër penale, për të cilën sanksionohet me dispozitat e Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Rikujtojmë, se afati për deklarimin e pasurisë ka përfunduar që nga 3 prilli i këtij viti./Indeksonline/