14:35 / E Enjte, 09 Korrik 2020 / indeksADMonline

Haxhiu përplaset me Osmanin: Po propozoni rezoluta koti sa për të marrë pikë politike

Deputetja e AAK-së, Teuta Haxhiu, e ka quajtur rezolutë koti propozimin nga kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka propozuar që nëpërmjet një rezolute Kuvendi i Kosovës ta shprehë vullnetin që të përjashtohen nga Qeveria zyrtarët që e kontestojnë Kushtetutën dhe Republikën e Kosovës.

Haxhiu ka thënë se kjo gjë është vetëm lojë për pikë politike nga Osmani.

“Personalisht kryetare, duke e ditur rëndësinë e rezolutave për Qeverinë e  Republikës së Kosovës dhe ju këtë fare mirë e dini. Është fjalë koti. Rezolutat sa për të bërë pak politikë, mund t’i diskutojmë, por në fund të fundit nuk rregullojnë asgjë”, ka thënë ajo në fjalën e saj në Kuvend.

Haxhiu ka theksuar se e mbështet Osmanin në rast se ajo ndërmerr iniciativë që Lista Serbe të mos jetë e privilegjuar si kategori kushtetuese.

“Propozimi im është Lista Serbe që të hyjë në zgjedhje sikur të gjithë deputetët.  Kur ta marrësh një iniciativë të tillë e ke mbështetjen time, por jo rezolutat e kota për të bërë politikë”, ka thënë ajo.

Ndërsa, Haxhiu ka thënë se AAK-ja është  e hapur për Ligjin për pandeminë.

“Sa i përket Ligjit të pandemisë, jemi për të diskutuar, debatuar dhe për të dhënë propozimet tona konkrete”, ka thënë ajo.