14:10 / E Mërkurë, 10 Janar 2018 / indeksADMonline

Hellbach dhe Bertin vizitojnë Kosovën

I dërguari i posaçëm për Evropën Juglindore, Turqinë dhe shtetet e EFTA-s në Ministrinë gjermane të Punëve të Jashtme, Christian Hellbach dhe shefi i Departamentit të Ballkanit Perëndimor të Ministrisë Franceze të Punëve të Jashtme dhe Evropiane, Thomas Bertin, do të qëndrojnë nesër për vizitë dyditore në Kosovë.

Gjatë kësaj vizite, ata do të takohen me presidentin Hashim Thaçi, kryeministrin Ramush Haradinaj, zëvendëskryeministrin e Kosovës, si dhe me përfaqësues të partive politike dhe shoqërisë civile. Vizita zhvillohet në sfondin e shqetësimeve në Berlin dhe Paris lidhur me përpjekjet e fundit për të shfuqizuar ligjin mbi Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e prokurorit të specializuar. Tema të tjera për t’u diskutuar përfshijnë domosdoshmërinë e vazhdimit të reformave, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit, demokracisë dhe qeverisjes së mirë, të cilat janë thelbësore për afrimin e mëtejshëm të Kosovës drejt BE-së.