23:57 / E Martë, 24 Nëntor 2020 / Ensar Ramadani

Hetimet për tamponët e Lazios, nuk përputhet rezultati i Strakoshës

Polemikat rreth kaosit të shkaktuar nga rezultatet e tamponëve të Lazios para ndeshjes kundër Juventusit, e cila përfundoi 1-1, vazhdojnë të jenë të pranishme.

Në atë takim të rëndësishëm, Lucas Leiva, Ciro Immobile dhe Thomas Strakosha nuk mundën të luanin për shkak të pozitivitetit të tyre (me Koromavirus).

Të tre futbollistët bardhekaltër u lanë jashtë skuadrës për shkak të mospërputhjes së rezultateve të tamponëve.

Qendra “Futura Diagnostica” në Avellino i kishte nxjerrë negativë, ndërsa klinika “Campus Biomedical” në Romë pozitivë me “COVID-19”.

Kjo mospërputhje e detyroi Prokurorinë e Avellinos të hapte një hetim për të përcaktuar nëse kishte shkelje rregullave nga klubi kryeqytetas dhe laboratori i Avellinos, duke kërkuar një ripërpunim të atyre tamponëve të famshëm në Spitalin Moskat.

Siç raportohet nga “Sky Sport”, rezultatet sërish nuk përputhen plotësisht: Leiva dhe Immobile rezultuan negativë, që do të thotë se duhej të ishin të disponueshëm për të sfiduar bardhezinjtë, ndërsa Strakosha pozitiv.

Portieri shqiptar aktualisht është në dispozicion të Simone Inzaghit dhe është thirrur gjithashtu për ndeshjen e Championsit kundër Zenitit.

Këto rezultate ndihmojnë në lehtësimin e pozicionit të Lazios në dosjen e hartuar nga Prokuroria e Avellinos por nga ana tjetër shtojnë keqardhjen për mungesën e dy lojtarëve të rëndësishëm (Immobile dhe Leiva) ndaj Juves.