16:24 / E Enjte, 05 Korrik 2018 / indeksADMonline

HIB ul çmimet e derivateve edhe për fermerët e komunës së Podujevës

Komuna e Podujevës dhe “HIB Petrol” Sh.P.K., kanë nënshkruar sot një marrëveshje bashkëpunimi, sipas së cilës ofrohen lehtësira për fermerët llapjanë, gjegjësisht furnizim me çmim më të lirë me derivatet e naftës.

Zyrtarë të lartë të Komunës së Podujevës, nënkryetari Nexhmi Rudari dhe drejtori i Drejtorisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Vezir Januzi, kanë zhvilluar një takim me Salih Hotin – përfaqësues i “HIB Petrol” Sh.P.K., ku është biseduar për bashkëpunimin e ndërsjellë në fushën e bujqësisë, sipas kushteve të tregut dhe normave të besimit reciprok, për mbështetje fermerëve llapjanë.

Në takimin e sotëm u nënshkrua Marrëveshja e bashkëpunimit në mes Komunës së Podujevës, e përfaqësuar nga Vezir Januzi – drejtor i Drejtorisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (DBPZHR) dhe përfaqësuesit të “HIB Petrol” Sh.P.K., – Salih Hoti, sipas se cilës kjo kompani do t’i furnizojë fermerët e llapjanë në mënyrë të vazhdueshme me derivate me një zbritje në çmim prej 5 centësh, për një litar, krahasuar me çmimin ditor në pikën e karburantit ku ata furnizohen.

Marrëveshja e arritur është njëvjeçare dhe është e dedikuar vetëm për mjete bujqësore që shërbejnë për punimin e tokave bujqësore.

Në kuadër të marrëveshjes DBPZHR është obliguar t’ia ofrojë “HIB Petrol” listat e  përditësuara të fermerëve.

Të gjithë fermerët që dëshirojnë të përfitojnë nga zbritja në çmimin ditor të tregut të derivateve duhet të prezantojnë në “HIB Petrol” numrin identifikues të fermerit, që janë të regjistruar në DBPZHR si fermerë.