15:48 / E Diele, 19 Janar 2020 / indeksADMonline

Hidhet poshtë vendimi për gjobitjen e Halitit e Dreshajt për përplasjen me Gashin, si shkoi e gjithë çështja?

Përplasja mes Arben Gashit, Xhavit Halitit e Gani Dreshajt, bëri që këta të fundit të paraqiten në Gjykatën Themelore të Prishtinës, pasi që deputeti nga radhët e LDK-së, sulmin që u bë ndaj tij, vendosi që t’ia lë në dorë drejtësisë.

Lidhur me rastin, Haliti e Dreshaj u shpallën fajtor me vendim të Gjykatës Themelore, të cilët u dënuan me nga 1 mijë e 500 euro gjobë. Vetëm 3 muaj më pas, jo i njëjti trup gjykues, anuloi këtë vendim.

“Mendoj se gjykata ka dhënë dënim minimal, në ditët në vazhdim do të shoh se si do ta trajtoj këtë çështje”, kishte thënë Arben Gashi gjatë vitit 2019, kur Gjykata Themelore kishte dhënë dënimin.

Lidhur me anulimin e këtij vendimi,  avokati mbrojtës i Xhavit Halitit, Kujtim Kërveshi për Indeksonline, tha se Gjykata Themelore e Prishtinës nuk do duhej të hapte rast fare lidhur me ngjarjen e muajit maj të 2018-tës.

 “Konsiderojmë që çështjet që kanë të bëjnë me imunitete institucionale duhet të sqarohen tutje në Republikën e Kosovës. Prokuroria ka vepruar në mënyrën më arbitrare të mundshme duke ndërhy në çështjet që i takojnë rendit parlamentar brenda Parlamentit të Republikës së Kosovës si institut që ka pasur trajtim ndonjëherë edhe kushtetues. Nuk bëhet fjalë për vepër penale. Në qoftë se për të ndërhyrje në çdo gjë që thuhet dhe veprohet në Kuvendit të Republikës së Kosovës, atëherë ne jetojmë në një vend tjetër e jo demokratik.” , është shprehur Kerveshi.

Tutje, ai ka thënë se prokuroria nuk i ka arsyetuar sa duhet as si duhet vlerësimin e elementeve të kësaj vepre penale.

“Kolegji i Gjykatës Themelore e ka anuluar vendimin e kësaj gjykate pas ankimit tim si avokat i z Haliti. Unë konsideroj se janë dy çështje themeltare, vlerësimi i elementeve të kësaj vepre penale që prokuroria nuk i ka arsyetuar as sa duhet as si duhet, dhe për të njëjtën unë kam siguruar provat te cilat do ti propozoj në gjykim me kohe e qe vërtetojnë se nuk behet fjale për veprën penale qe i referohet prokuroria dhe po ashtu, për mua është i pa pranueshëm profesionalisht veprimi i prokurorisë për te ushtruar aktakuze pa e vlerësuar fare se a ka qene z Haliti duke ushtruar detyrën e tij në momentin kritik dhe lidhur me këtë, si e ka vlerësuar situatën prokuroria se ne rastin konkret nuk vlen imuniteti funksional. Andaj, për mua si avokat, pa paragjykuar vendimin e ardhshëm te gjykatës, ky rast nuk do te duhet te trajtohej si çështje penale fare. duke qene se Kolegji ka anuluar vendimin e kësaj gjykate me të cilin gjykata kishte shpallur një vendim për dënim me gjobe, çështja do te trajtohet ne shqyrtim gjyqësor”, ka thënë avokati Kerveshi. /Indeksonline/