12:18 / E Premte, 15 Mars 2019 / indeksADMonline

Hidhet shorti për çerekfinalet e Ligës së Kampionëve, spikat ndeshja United – Barcelona

Me fat Liverpooli dhe Juventusi, duele të vështira për Manchester Cityn dhe Barcelonën. Në Nyon të Zvicrës u hodh mesditën e sotme shorti i çerekfinaleve dhe i gjysmëfinaleve të UEFA Champions duke u përcaktuar kështu rruga drejt finales së Madridit që do të zhvillohet në stadiumin e Atleticos, Wanda Metropolitano.

Futbollisti i përzgjedhur nga UEFA për të hedhur shortin ishte ish-portieri brazilian i Interit, Julio Cesar fitues i këtij kompeticioni në vitin 2010-të. Julio Cesar u tregua bujar me Juventusin duke i vendosur bardhezinjtë përballë surprizës së deritanishme, Ajaxit të Amsterdamit që në 1/8 eliminoi kampionët në fuqi të Realit të Madridit. Short akoma më i favorshëm për Liverpoolin e Klopp që do të masë forcat me Porton, skuadër të cilën e eliminoi sezonin e kaluar në fazën e 1/8-ave me rezultat të përgjithshëm 5-0.

Me 4 skuadra angleze ende në lojë nuk mund të mungonte në këtë fazë një derbi ishullor pasi goglat vendosën përballë njëra-tjetrës Tottenham Hotspur dhe Manchester Cityn, në një duel ku skuadra e Guardiolës është favorite por nuk ka asgjë të sigurtë, ashtu si edhe Barcelona që do të sfidojë gjigandët anglezë të Manchester United, një skuadër që gjithsesi katalanët u kanë marrë dorën pasi i kanë mposhtur në 2 finale të Championsit në 2009-ën dhe 2011-ën.